Japonia rinovon aviacionin luftarak

20/12/2011 00:00

Japonia ka zgjedhur avionët luftarakë “stealth” të tipit “F-35” për të
zëvendësuar modelet e vjetruara të ushtrisë së saj “F-4”.

Tokioja zyrtar njoftoi se do të blejë në total 42 avionë luftarakë nga gjigandi amerikan “Lockheed Martin”, në kuadër të një marrëveshjeje me vlerë 8 miliardë dollarë.

Modeli “F-35” u zgjodh mes modeleve të tjera si “Eurofighter Typhoon” dhe “Boeing F/A-18”, bëjnë të ditur agjencitë japoneze të lajmeve.

Njoftimi vjen në një moment pasigurie në rajonin aziatik, të shkaktuar nga vdekja e liderit koreano-verior Kim Jong il. Gjithashtu, në Japoni janë rritur shqetësimet për rritjen e fuqisë ushtarake të Kinës.

Në muajt e fundit Japonia ka deklaruar se po rrit mbrojtjen e saj detare pas paralajmërimeve për një rritje të aktiviteteve detare të Kinës në rajon.

Ministri japonez i Mbrojtjes, Yasuo Ichikawa deklaroi se ambjenti i sigurisë në të cilin do të veprojnë avionët luftarakë do t’i nënshtrohet një transformimi, në mënyrë që “F-35”-at t’u përshtaten ndryshimeve.

Vendimi i Tokios zyrtar ishte i pritshëm, duke parë marrëdhëniet e ngushta me Uashingtonin. Shtetet e Bashkuara janë aleati kryesor i Japonisë në fushën e sigurisë dhe dy vendet zhvillojnë rregullisht stërvitje të përbashkëta ushtarake në rajon.

Lëvizja në fjalë do të jetë një plus për kompaninë “Lockheed Martin”, avionët “F-35” të së cilës janë kritikuar në Shtetet e Bashkuara për shkak të kostos së lartë dhe vonesës në prodhim.

Analistët deklarojnë se ka të ngjarë që porositë të rriten me kërkesa edhe nga vende të tjera si Koreja e Jugut, që po kërkon gjithashtu të zëvendësojë avionët e saj të vjetëruar.

Top Channel