Siria pranon vëzhguesit e huaj në vend

19/12/2011 16:05

Siria dhe Liga Arabe nënshkruan ditën e hënë një dokument, i cili lejon monitoruesit ndërkombëtare që të vizitojnë vendin e trazuar arab, në atë që konsiderohet si hapi më i rëndësishëm i arritur deri tani në bisedimet dypalëshe.

Ministri i Jashtëm i Sirisë, Walid Muallem, nënshkroi marrëveshjen në emër të shtetit të tij, në takimin e realizuar në selinë e Ligës, në Kajro. Sipas tij, marrëveshja u firmos vetëm pasi organizmit që përfaqëson 22 vende arabe pranoi disa modifikime nga ana e Sirisë.

Nga ana e saj, Liga kishte paralajmëruar me një rezolutë të përbashkët në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, nëse nuk do të lejoheshin monitoruesit e saj që të vizitonin Sirinë.

Sipas të dhënave të OKB-së, më shumë se 5 mijë persona kanë humbur jetën në përleshjet me forcat qeveritare që prej muajit mars, por një shifër e tillë është e pamundur të verifikohet, pasi vëzhguesit dhe gazetarët e huaj e kanë të ndaluar hyrjen në vend.

Ndërkohë, vazhdojnë përplasjet e përgjakshme në vend. Aktivistët anti-qeveritarë lajmëruan se në përleshjet e ushtrisë qeveritare me forcat rebele, gjashtë persona mbetën të vrarë në qytetin e al-Kurijës, i ndodhur në një provincën juglindore të vendit me 22 milion banorë.

Top Channel