Gjermania: Britania, partner i padiskutueshëm

19/12/2011 18:55

Britania është një partner i domosdoshëm në BE. Kështu ka deklaruar ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle gjatë një vizite në Londër.

Në një konferencë për shtyp me homologun britanik William Hague, Westerwelle ka dhënë garancinë e tij se nuk ka asnjë “axhendë të fshehtë” kundër Mbretërisë së Bashkuar.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që Londra të ketë një të ardhme të begatë”, ka deklaruar shefi i diplomacisë gjermane.

Deklarata e tij vjen disa ditë pas asaj të bërë nga kancelarja Angela Merkel, e cila tha gjithashtu para Bundestagut, se Britania e Madhe është një partner i domosdoshëm.

Merkel tha se, “i vinte shumë keq” për qëndrimin e kryeministrit David Cameron, i cili qëndroi jashtë nismës së përbashkët të vendeve të BE për të formuar një “bashkim të ri financiar”.

“Pavarësisht qëndrimit të Britanisë, askush nuk mund të dyshojë se ajo do të vazhdojë të jetë një partner shumë i rëndësishëm për të ardhmen tonë”, deklaroi Merkel.

26 nga 27 vendet që formojnë Bashkimin Europian miratuan më herët gjatë muajit ndryshimet e paralajmëruara nga Franca dhe Gjermania për t’i bërë ballë krizës së borxhit.

Kryeministri Cameron ishte i vetmi që vendosi kushte për një votë pro dhe pasi kërkesat e tij nuk u aprovuan, vendosi veton e tij kundër traktatit.

Më vonë Cameron deklaroi se e kishte kundërshtuar marrëveshjen pasi ajo sipas tij binte ndesh me interesat ekonomike të Britanisë së Madhe.

Top Channel