Dhjetëra mijëra çekë përshëndesin Havelin

19/12/2011 15:55

Me dhjetëra mijëra çekë kanë përshëndetur të hënën presidentin e parë demokratik të vendit, Vaclav Havel, pasi ai ndërroi jetë në fundjavë në moshën 75-vjeçare.

Një funeral me nderimet më të larta shtetërore do të mbahet ditën e premte, por ndërkohë, në një kështjellë në Pragë, bashkëkombasit që liroi nga komunizmi kanë pritur në radhë për të përshëndetur Havelin dhe për të firmosur në librin e ngushëllimeve.

Me qindra mijëra të tjerë pritet të vizitojnë trupin e pajetë të atij që konsiderohet si një hero kombëtar në Çeki, në ditët në vazhdim. Libri i ngushëllimeve është hapur edhe në Sllovakinë fqinje.

Vaclav Havel u shndërrua në President të Çekosllovakisë në vitin 1989, i pari udhëheqës demokratik pas rënies së komunizmit. Ndonëse vendi u nda në vitin 1993, ai mbeti President i Çekisë deri në vitin 2003.

Në periudhën e diktaturës, ai u bë simbol i rezistencës dhe lëvizjes për më shumë të drejta demokratike, duke u shndërruar për miliona çekë në një lider të vërtetë shpirtëror, i ngjashëm me Dalai Lamën e tibetianëve.

Udhëheqës të lartë shtetesh, midis të cilëve edhe Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, kanë dërguar ngushëllimet e tyre zyrtare për humbjen e një figure të shquar si Havel.

Top Channel