Banka Qëndore Europiane: Euro do të mbijetojë

19/12/2011 18:15

Presidenti i Bankës Qëndore Europiane, Mario Draghi, kundërshtoi “gojët e liga”, duke theksuar se nuk ka asnjë rrezik real për shpërbërjen e monedhës së përbashkët euro.

Deklarata e Draghit u realizua gjatë një interviste për “The Times”, të publikuar ditën e hënë. Ai paralajmëroi se viti 2012 do të jetë shumë i vështirë për bankat, por dha garancitë e duhura për shmangien e një kolapsi brenda Eurozonës.

”Dalja nga monedha e përbashkët do t’i krijonte vendit që merr këtë vendim një inflacion tepër të lartë, duke i lënë në një pozitë edhe më të vështirë financiare. Nuk kam dyshime se pavarësisht fuqisë që do të ketë euro në tregjet ndërkombëtare, ai mbetet i pakthyeshëm”, komentoi kryefinanciari europian.

Deklaratat e Draghit ishin të ngjashme me ato të paraardhësit të tij, Jean-Claude Trichet, i cili gjithashtu e konsideroi shpërbërjen e euros si një “absurditet”.

”Unë e kuptoj se tema e shpërbërjes së euros është një çështje shumë e bukur për mediat, por më vjen keq që nuk dëgjoj asgjë tjetër përveç spekulimeve. Më vjen keq vetëm që shumë njerëz jashtë Eurozonës pyesin veten “po sikur”. Kjo sikur nuk do të ndodhë dhe unë kam besim të pacënueshëm tek monedha jonë”, komentoi Draghi.

Italiani u shndërruar në guvernator të Bankës Qëndore Europiane në datën 1 nëntor 2011.

Top Channel