Protestat në Rusi

18/12/2011 21:15

Një prej udhëheqësve të opozitës ruse, Sergej Udaltsov ndodhet në repartin e reanimacionin në Spitalin e Moskës. Ai u arrestua më 4 dhjetor gjatë protestës, që kundërshtonte rezultatin e zgjedhjeve parlamentare në Rusi.

Sipas Euroneës, vetëm në javën e parë të protestave në Rusi, u ndaluan mbi 1600 persona. Disa prej aktivistëve për të Drejtat e Njeriut që kishin komunikuar me familjarët e Udaltsov, e shkruan lajmin në rrjetin social Tuiter.

34 vjecari kreu i “Frontit të së Majtës” e kish filluar grevën e urisë, pasi u arrestua dhe dënua me pesë ditë burg, që më pas u shtynë edhe për 15 ditë të tjera.

Akuza kundër tij ishte: “Mosbindje ndaj agjentëve të policisë duke kaluar gabimisht rrugën”. Udaltsov vuan nga një sëmundje në veshka dhe autoritetet ruse i kishin ndaluar të merrte medikamentet e duhura.

Disa ditë më parë “Amnesty International” kishte bërë një apel për lirimin e tij.

Protestat shpërthyen në qytetet kryesore të Federatës Ruse pas publikimit të rezultateve të para të zgjedhjeve.

Zgjedhjet për Dumën Ruse, apo Dhomën e Ulët të Parlamentit u fituan nga Partia “Rusia e Bashkuar” e Vladimir Putinit me më pak se 50 % të votave, por vëzhguesit ndërkombëtarë dhe partitë e opozitës akuzuan për manipulim të procesit zgjedhor.

Më 10 Dhjetor, në protesten e organizuar në Moske, morën pjesë 150 mijë persona. Historia e Udaltsov evokon atë të avokatit rus, Sergej Magnitskij, i arrestuar pasi denoncoi abuzime financiare. Ai ndërroi jetë në burg në nëntor të vitit 2009. Madje historia e tij është shkruar edhe nga revista prestigjoze “The Economist”.

Top Channel