Indonezi, mbytet anija me qindra emigrantë

18/12/2011 10:10

Një operacion madhor kërkim-shpëtimi është nisur mëngjesin e së dielës nga autoritetet indoneziane, pasi një anije e mbushur me emigrantë u mbyt rreth 90 kilometra nga ishulli i Javës.

Sipas burimeve zyrtare, në momentin e aksidentit në bordin e anijes ndodheshin 250 persona, por mediat vendase shkruajnë për një tejmbushje të mjetit, deri në 400 emigrantë.

Anija besohet se ishte duke udhëtuar për në Australi, me azilkërkues nga Afganistani, Turqia dhe Irani.

” Një anije u fundos mëngjesin e së dielës dhe forcat tona detare janë në det që prej marrjes së një sinjali që kërkonte ndihmë urgjente”, deklaroi për një agjensi vendase lajmesh një nga antarët e skuadrave të shpëtimit. “Megjithatë, operacioni vështirësohet shumë nga shikueshmëria e ulët dhe moti i keq”.

Esmat Adine, një 24-vjeçar afgan i rikuperuar në det, u shpreh për mediat se anija kishte filluar të lëvizte në mënyrë të fuqishme nga njëra anë në tjetrën, duke krijuar panik mes pasagjerëve të ngjeshur pas njëri-tjetrit. Sipas tij, në bord ndodheshin edhe rreth 40 fëmijë.

Top Channel