Filipine, përmbytjet, 550 të vdekur

18/12/2011 12:00

Bilanci tragjik i përmbytjeve në Filipine ka arritur në 550 persona deri të dielën, ndërsa dëmet materiale llogariten në qindra milionë euro, lajmëruan autoritetet e vendit aziatik.

370 persona janë shpallur të humbur, ndërsa numri i viktimave pritet të rritet edhe më shumë në ditët në vazhdim. Filipina u godit nga një stuhi e fortë tropikale gjatë të premtes.

Shumica e të vdekurve janë regjistruar në qytetet port të Iliganit dhe Kagajanit. Në ishullin e Mindanaos janë parë disa dhjetëra trupa duke pluskuar mbi ujë në rrugët e qytetit, pasi lumi kishte përmbytur fillimisht disa fshatra përreth.

Në shumë zona të vendit, të mbijetuarit kanë mbetur pa ujë të pijshëm dhe elektricitet. Rrëshqitjet e dheut, gjithashtu janë shndërruar në një problem të madh, pasi kanë bllokuar disa rrugë kryesore dhe kanë shkaktuar shumë dëme material.

Sipas vlerësimeve të autoriteteve, mbi 100 mijë persona janë zhvendosur si rrjedhojë e stuhisë. Në rajonet e goditura po shpërndahen çadra, ushqime dhe rrjeta kundër mushkonjave, për të frenuar  ndonjë shpërthim të mundshëm epidemie.

Top Channel