Siri, mblidhet Këshilli Kombëtar i Opozitës

17/12/2011 09:00

Këshilli Kombëtar i Sirisë, një koalicion i grupeve që kundërshtojnë presidentin Bashar al Assad, po mban kongresin e tij të parë në Tunizi.

Rreth 200 anëtarë të KKS-së po takohen në afërsi të kryeqytetit Tuniz, në përpjekje për të bashkuar edhe më shumë opozitën siriane.

Korrespondentët e mediave të huaja deklarojnë se delegatët shpresojnë se nga ky takim Këshilli do të ngjasojë më shumë me një qeveri në pritje.

Më herët, mijëra protestues anti-qeveritarë zbritën në rrugë në të gjithë Sirinë, për të protestuar pas lutjeve të së premtes.

Aktivistët thanë se të paktën gjashtë persona u vranë nga forcat e sigurisë në qytetin e Homsit, që është bërë dhe vatra e revoltave.

“Ne kemi nevojë të bashkojmë opozitën dhe ta bëjmë atë më të fortë”, deklaroi lideri Burhan Ghalioun për agjencinë franceze të lajmeve “AFP”.

“Ne duhet të dalim nga ky kongres me një nivel më të lartë organizimi, me objektiva të qartë dhe me më shumë vrull”, u shpreh Ghalioun.

Kongresi, që po zhvillohet në resortin e Gamarthit, në veri të Tunizit, u hap pasditen e së premtes dhe do të vazhdojë punimet deri ditën e diel.

Formimi i KKS-së u njoftua zyrtarisht në Stamboll në muajin shtator. Gjithësesi, liderët e tij janë kryesisht intelektualë të dëbuar që kanë kontakte të kufizuara me organizatorët e rezistencës në Siri.

Top Channel