Libia, Këshilli i Sigurimit heq sanksionet

17/12/2011 09:30

Këshilli i Sigurimit të OKB-së ka hequr sanksionet ndaj bankës qendrore të Libisë dhe bankës së huaj të investimeve, për të ndihmuar vendin t’i bëjë ballë krizës financiare.

Lëvizja qartëson edhe më tej rrugën për qeverinë e re, për zhbllokimin e miliarda dollarëve në formë asetesh që mbahen jashtë vendit. Shtetet e Bashkuara dhe Britania bënë të njëjtën gjë menjëherë më pas.

Asetet e huaja të bankave libiane u ngrinë më herët gjatë vitit, në kuadër të sanksioneve kundër ish-liderit libian, kolonelit Muammar Gaddafi.

Ditën e premte, Këshilli i Sigurimit vendosi të heqë sanksionet ndaj Bankës Qendrore të Libisë dhe institucioneve të tjera të varura prej saj, si Banka e Jashtme e Libisë.

Gjithashtu, Këshilli ra dakord për të shkrirë asetet, përderisa nuk kishte kundërshtime, brenda orës 17:00 me orën lokale, rreth 22:00 me orën tonë.

Me të kaluar ky afat asnjë kundërshtim nuk u shfaq. Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, William Hague deklaroi se lëvizja shënon një tjetër moment domethënës në tranzicionin e Libisë.

“Kjo do të thotë se qeveria e Libisë tani do të ketë akses të plotë tek fondet kryesore që duhen për të rindërtuar vendin, për të rivendosur stabilitetin dhe për t’u mundësuar libianëve të bëjnë transaksionet që u duhen për jetën e tyre”, tha zoti Hague.

Ai shtoi se Londra do të zhbllokojë tani rreth 10 miliardë dollarë që mbahen në Mbretërinë e Bashkuar. Ndërkohë, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Leon Panetta do të vizitojë sot Libinë.

Top Channel