Egjipt, përleshje në qendër të Kajros

17/12/2011 12:50

Protestuesit në Egjipt janë përleshur ashpër me forcat e sigurisë në afërsi të selisë së Parlamentit, në Kajro, ku si pasojë gjashtë persona kanë gjetur vdekjen.

Ngjarja e rëndë vjen një ditë pasi tetë persona mbetën të vrarë në protestat që u zhvilluan në të njëjtin vend, pranë sheshit Tahrir.

Protestuesit kanë hedhur gurë ndaj policisë, që kishte bllokuar rrugët përreth ndërtesës me tela me gjemba. Nga ana e tyre, forcat e sigurisë janë përgjigjur me pompa uji dhe kanë hedhur edhe disa objekte në drejtim të protestuesit nga tarracat e disa ndërtesave.

Manifestuesit kërkojnë një dorëzim të menjëhershëm të pushtetit nga ushtria tek klasa civile dhe për këtë arsye qëndrojnë prej më shumë se një muaji në qendër të kryeqytetit.

Protestat detyruan qeverinë ushtarake të Egjiptit që të caktojë një kryeministër të ri. Të premten, forcat e sigurisë bastisën një kamp të protestuesve, në përpjekje për të larguar aktivistët.

Megjithatë, më vonë trupat u tërhoqën, por beteja në rrugë vazhdoi përgjatë gjithë ditës. Televizioni shtetëror egjiptian njoftoi se tetë persona mbetën të vrarë dhe 300 të tjerë të plagosur.

Këshilli Ushtarak i Egjiptit mori kontrollin e vendit në shkurt, pasi presidenti Hosni Mubarak u detyrua të linte pushtetin për shkak të protestave popullore.

Ai ka premtuar kalimin e pushtetit tek klasa civile me mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale, të parashikuara për në qershor të vitit të ardhshëm.

Top Channel