Kazakistan, luftë për naftën, 10 të vdekur

16/12/2011 16:15

Të paktën 10 persona janë vrarë pasi punëtorët e naftës janë përleshur me forcat e qeverisë në një qytet në perëndim të Kazakistanit.

Dëshmitarë nga vendi i ngjarjes deklaruan për mediat e huaja se policia hapi zjarr ndaj protestuesve në qytetin Zhanaozen, por autoritetet e mohojnë një gjë të tillë.

Përleshjet shpërthyen kur policia u përpoq të zbrazte sheshin kryesor të vendit, të pushtuar nga punëtorët e naftës prej më shumë se gjashtë muajsh.

Ata kërkojnë pagë më të mirë, por veprimet e tyre cilësohen si ilegale nga autoritetet qeveritare, raportojnë mediat ndërkombëtare.

Ngjarja e rëndë vjen pasi Kazakistani sapo shënoi 20-vjetorin e pavarësisë nga Bashkimi Sovietik, që u shoqërua me festime në të gjithë vendin.

Policia hyri në aksion për të pastruar sheshin mëngjesin e së premtes, por ajo hasi rezistencën e punëtorëve të naftës.

Dëshmitarë nga vendngjarja thanë për BBC se persona të shumtë mbetën të vrarë dhe të plagosur dhe se një numër ndërtesash, përfshirë atë qeveritare, një hotel dhe zyrat e kompanisë shtetërore të naftës, iu është vënë zjarri.

Prokurori i përgjithshëm i vendit deklaroi më vonë se informacionet paraprake flisnin për 10 të vdekur, si dhe për agjentë policie mes personave të plagosur.

Gjithashtu, shumë zbukurime dhe një skenë e ngritur për festimin e pavarësisë u shkatërruan gjatë përleshjeve, shtoi më tej kryeprokurori.

Top Channel