Franca sulmon ekonominë britanike

16/12/2011 17:15

Ministri i Financave të Francës, Francois Baroin është bërë figura e fundit franceze që flet për dobësimin e ekonomisë së Mbretërisë së Bashkuar.

Fjalimi i tij vjen një ditë pasi shefi i Bankës Qendrore Franceze sugjeroi se normat e kreditimit të Britanisë së Madhe duhet të zhvlerësohen para Francës.

Ka spekulime se Franca mund të humbasë vlerësimin e saj “AAA”. Downing Street ka deklaruar se koalicioni qeverisës ka një plan të besueshëm për ekonominë e vendit.

Ndërkohë, autoritetet në Mbretërinë e Bashkuar do t’u bashkohen bisedimeve të mëtejshme të eurozonës, pavarësisht vetos së kryeministrit David Cameron ndaj propozimit për një ndryshim të marrëveshjes fiskale të Bashkimit Evropian.

Franca është paralajmëruar nga agjencia amerikane e kreditimit “Standards and Poor” se mund të zhvlerësohet për shkak të krizës së borxhit që ka përfshirë eurozonën.

Por ministri Baroin deklaroi për radion “Europe 1” se, “situata ekonomike në Britani aktualisht është shumë shqetësuese dhe në terma ekonomikë më mirë të jesh francez se anglez”.

Ditën e enjte, kryetari i Bankës Qendrore Franceze, Christian Noyer sugjeroi se, “cdo zhvlerësim duhet të fillojë me Mbretërinë e Bashkuar, e cila ka deficite, borxhe dhe inflacione më shumë se ne”.

Downing Street i hodhi poshtë deklaratat e Noyer duke thënë: “Ne kemi hartuar një plan të besueshëm për të zgjidhur problemin e deficitit dhe besueshmëria e atij plani mund të shihet tek sigurimi i të ardhurave të vendit”.

Top Channel