Sateliti fotografon luftëanijen kineze

15/12/2011 08:40

Një kompani që menaxhon një satelit komercial amerikan ka deklaruar se ka arritur të bëjë një foto të aeroplanmbajtëses së parë të Kinës gjatë provave të saj në Detin e Verdhë.

Nëse lajmi konfirmohet, kjo do të jetë fotoja e parë publike e një mjeti lundrues sovietik që është marrë dhe riparuar nga Pekini.

Anija luftarake nisi provat e para në gusht, duke ngritur shqetësime në rajon dhe më gjerë për shkak të rritjes së fuqisë ushtarake të Kinës.

Vendi aziatik aktualisht është i përfshirë në përplasje territoriale të shumta lidhur me detin e Kinës së Jugut.

Stephen Wood, drejtor i qendrës së analizave DigitalGlobe, deklaroi se mjeti lundrues është fotografuar më 8 dhjetor jashtë brigjeve kineze nga një prej satelitëve orbitalë të kompanisë.

Zoti Wood ka shtuar se ai kishte besim se bëhej fjalë për anijen kineze, për shkak të vendndodhjes dhe datës së fotove.

Kina, që deklaron se anija do të përdoret për kërkime dhe stërvitje, nuk e ka komentuar ende lajmin. Anija filloi provat e saj në gusht, në Dalian, një port në provincën veri-lindore të Liaonginit, bëri të ditur në atë kohë agjencia shtetërore kineze e lajmeve.

Edhe pse Kina besohet se është vite larg mundësisë për të përdorur anijen si një mjet të fuqishëm lufte, lëvizja e saj ka ngritur shqetësime në vendet e tjera të rajonit. Në vitet e kaluara, Kina ka pasur mosmarrëveshje detare me Japoninë, Vietnamin dhe ishujt Filipine.

Top Channel