Masakra në Belgjikë, zbulohet tjetër viktimë

15/12/2011 00:17

Policia belge zbuloi trupin e pa jetë të një gruaje, në një depo, brenda shtëpisë së vrasësit, 33 vjecarit Nordin Amrani, autori i masakrës së të martës në qytetin Liezh të Belgjikës.

Ai vrau dy persona, dy djem 15 dhe 17 vjec, dhe jo tre sic ishte raportuar më parë, ndërsa më pas qëlloi dhe veten. Të pakten 125 persona u plagosën, pesë prej të cilëve në reanimacion.

Trupi i gjetur në pronën e vrasësit është ai i një 45 vjecareje, e cila punonte për fqinjët e Amranit. Në depon që përdorej nga 33 vjecari për të kultivuar kanabis, u gjetën edhe dy armë, municione, por asnjë mesazh i lënë prej tij.

Mesditën e së mërkurës, një grup njerëzish, mes të cilëve edhe nxënësit e shkollës së mesme “Shën Bartolome” u mblodhën në Sheshin Seint Lamber, për të mbajtur një minutë zi për viktimat. Njëri prej viktimave u identifikua, është Pier Geruvil, nxënës i këtij gjimnazi.

Autoritetet belge po përpiqen të përcaktojnë motivin që e shtyu 33 vjecarin Nordin Amrani, të qëllojë dhe vrasë në sheshin kryesor të Liezhit. Ata përjashtuan pistën e terrorizmit politik por ende s’kanë mundur t’i përgjigjen pse iu desh të qëllonte me armë.

Prokurorja e Përgjithshme pranoi se ai kishte kaluar tre vjet në burg për armëmbajtje pa lejë dhe posedim lëndësh narkotike dhe u la i lirë në tetor të 2010 me mirëbesim. Nuk kishte asnjë raport mjekësor që të dëshmonte, probleme mendore.

Kryeministri i vendit Elio Di Rupo tha se nuk kish fjalë për ta përshkruar cfarë ndodhi, ndërsa për kryebashkiakun e Liezhit “sulmi solli hidhërim në zemrën e qytetit”.

Top Channel