Gjermani, burgim i përjetshëm 90-vjeçarit ish-nazist

15/12/2011 17:45

Një 90-vjeçar u dënua me burgim të përjetshëm nga një gjykatë gjermane, pasi u provua që ai ekzekutoi tre civilë holandezë në kohën kur ishte një antar i një skuadre pushkatimi të “SS”, gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Heinrich Boere, i paralizuar, u largua nga azili ku qëndronte në Gjrmani, për t’u çuar në burgun e një spitali. Në mars 2010, ai pranoi vrasjet. Avokatët e tij apeluan për arsye shëndetësore, por gjykata e rrëzoi apelin, pasi një ekspert theksoi se është e mundur që 90-vjeçari të vuajë dënimin në një “strukturë të specializuar”.

Në proces, mbrojtja argumentoi se ekzekutimi i ndodhur në 1944 u urdhërua nga eprorët, por diçka e tillë nuk u arrit të provohej.

Ish-ushtari SS, 23-vjeçar në kohën e luftës pranoi se vrau me pistoletën e tij Fritz Bicknese, një kimist dhe babai i 12 fëmijëve, Frans Kusters, antar i rezistencës holandeze dhe Teun de Groot, i cili ndihmoi hebrenjtë të fshiheshin. Megjithatë, Boere argumentoi se nëse nuk do të kishte zbatuar urdhërat, do të ishte dërguar në një kamp përqendrimi.

“Në vitin 1944 nuk kam patur asnjë ndienjë faji dhe nuk po mendoja se po bëja gabim kur qëllova ndaj tre viktimave, por sot i shoh gjërat nga një tjetër këndvështrim”, u shpreh i moshuari.

Pas përfundimit të luftës, ai u arratis nga një kamp për të burgosurit gjerman në Holandë dhe u streua në Gjermani. Një gjykatë holandeze e dënoi atë më vdekje në vitin 1949, por shteti gjerman nuk e ekstradoi kurrë dhe e lejoi të jetonte i lirë.

Në vitin 1980, kërkesa e autoriteteve holandeze për ekstradim u hodh zyrtarisht poshtë, pasi gjykimi i shpall i pavlefshëm, pasi Boere nuk kishte qenë i pranishëm në gjykim. Megjithatë, në 2008-n, autoritetet gjermane hapën zyrtarisht një çështje ndaj tij, pas të cilës u shpall fajtor.

Top Channel