SHBA: Regjimi i Assad, një i vdekur i gjallë

14/12/2011 21:40

Regjimi i Bashar Assad, që prej marsit po drejton një represion të përgjakshëm, është i barabartë me një të vdekur të gjallë.

Kështu ka deklaruar një përfaqësues i lartë amerikan gjatë një audicioni përpara një komisioni të Kongresit, ku ka akuzuar vendet aleate të Damaskut, si Rusinë, për “llogari politike”.

“Opinioni ynë është që regjimi të jetë si një i vdekur i gjallë”, ka deklaruar Frederic Hof, koordinator për cështjet e Lindjes së Mesme pranë Departamentit të Shtetit.

Ndërkohë, sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Moon kërkoi reagimin e të gjithë botës, duke iu referuar shifrës prej pesë mijë personash të vdekur.

“Kjo që po ndodh nuk mund të vazhdojë më. Në emër të njerëzimit është momenti që komuniteti ndërkombëtar të reagojë”, ka thënë Ki Moon në konferencën për shtyp të fundvitit.

Ndërkohë, dezertorë të bashkuar me rebelët sulmuan një autokolonë të Ushtrisë
Siriane, duke vrarë tetë ushtarë, në një aksion hakmarrës për sulmin e
kryer ndaj civilëve në al-Asharna, pranë qytetit të Hamës.

Pesë persona ishin vrarë më parë gjatë të mërkurës, pasi disa banesa u goditën me predha antitank dhe murtaja. Të martën, 35 civilë mbetën viktima të trupave të presidentit al-Assad, të cilët qëlluan ndaj njerëzve të grumbulluar në një funeral. Sipas medias shtetërore, midis të vrarëve ishin 17 militantë të rrezikshëm të bandave terroriste.

Sipas OKB-së, numri i personave të vrarë ka kaluar 5 mijë, por Damasku e ka cilësuar këtë shifër si “qesharake”. Komisionerja e të Drejtave të Njeriut në OKB, Navi Pillay, gjithashtu e ka akuzuar qeverinë e vendit të madh arab për kryerjen e krimeve kundër njerëzimit ndaj popullsisë së saj të pafajshme.

Trupat e ushtrisë së rregullt janë sulmuar në mënyrë të vazhdueshme gjatë ditëve të fundit, shenjë kjo që Ushtria e Sirisë së Lirë të rebelëve është duke u fuqizuar gjithmonë e më shumë, duke e bërë luftën civile në shkallë të gjerë një mundësi gjithmonë e më reale.

Top Channel