Atentati në Belgjikë, përjashtohet akti terrorist

14/12/2011 09:25

Policia në Belgjikë po përpiqet të përcaktojë se çfarë e shtyu 33-vjeçarin Nordine Amrani të hapte zjarr në një treg të mbushur me njerëz në Liezh, duke vrarë 5 persona.

Gati 125 të tjerë u plagosën, një pjesë e tyre rëndë, kur Amrani, përveçse përdori armë zjarri lëshoi edhe granata. Agresori nuk ishte një figurë e panjohur për policinë. Ai ishte skeduar më parë për zotërim droge dhe armësh. Kryeministri Elio di Rupo e cilësoi incidentin e djeshëm “një rast të izoluar”.

Qyteti i Liezhit do të mbajë të mërkurën në mesditë një minutë heshtje për viktimat, e fundit e të cilave u bë një vajzë 17-vjeçare e cila ndërroi jetë në spital pavarësisht se po i nënshtrohej prej orësh të tëra trajtimeve mjekësore. Deri tani, katër nga të lënduarit mbeten në gjendje kritike për jetën.

Korrespondenti i BBC-së në Liezh, Matthew Price, thotë se sheshi qendror Place Saint Lambert, ku ndodhi sulmi, është hapur për publikun, por njollat e gjakut, xhamat e thyer dhe shenjat e plumbave janë aty akoma. Zyrtarët e përjashtuan që në fillim mundësinë e një akti të organizuar terrorist, e po kështu edhe atë të ndonjë sëmundjeje mendore të 33-vjeçarit. Ata mbeten të vendosur të zbulojnë përsenë e veprimit të tij ekstrem.

Për këtë arsye do t’i duhet të verifikojnë çdo gjë që tregon se ai mund të ketë përbërë një rrezik për publikun. Amrani, banor i Liezhit, ka kaluar 58 muaj prapa hekurave shtatorin e 2008-tës për posedim armësh dhe lëndësh narkotike, raportojnë mediat belge. Policia nuk i ka konfirmuar të tilla pohime, por mjaftohet me deklaratën e thjeshtë se ai ka kaluar vërtet ca kohë në burg. Prokurorja publike e Liezhit, Danielle Reynders, insistoi të sqaronte se në asnjë moment nuk ka pasur ndonjë shenjë çekuilibri të procedurave gjyqësore kundër tij, por rrëfimet e fqinjëve skicojnë një tjetër portret të njeriut përgjegjës për masakrën. Ata e përshkruajnë 33-vjeçarin si një njeri të qetë e gjithmonë të gatshëm të ndihmonte.

“Ishte një njeri i urtë, i respektueshëm. Kur mbërrinim të ngarkuar me qeset e pazarit, na hapte derën. Asnjëherë nuk kemi vënë re ndonjë gjë që nuk shkonte. Ishte përgjithësisht i heshtur, një njeri mëse normal”, tregon një fqinj.  

Amrani thuhet se ishte liruar me kusht dhe të martën duhet të paraqitej në një komisariat policie për një intervistë lidhur me akuzat e ngritura ndaj tij. Ish-kryeministri belg, Herman van Rompuy, aktualisht kryetar i Këshillit Europian, u shpreh thellësisht i tronditur nga ky sulm i pakuptimtë, siç e cilësoi ai.

Top Channel