Kinë, vdesin 15 fëmijë në një aksident

13/12/2011 00:00

Pesëmbëdhjetë fëmijë kanë vdekur në një incident rrugor në Kinë, vetëm
një ditë pasi qeveria shpalli rregulla të reja e të rrepta për drejtimin
e mjeteve për të parandaluar aksidente të tilla.

Fëmijët humbën jetën pasi autobusi i tyre ra në një kanal pasi shoferi u përpoq të shmangte një pengesë, në një rrugë në afërsi të provincës Jiangsu.

Autoritetet lokale kanë deklaruar se disa prej fëmijëve u mbytën në ujin e kanalit, ndërsa disa të tjerë humbën jetën pasi iu zu fryma.

Aksidenti vjen disa javë pasi një minibus i tejmbushur u përplas, duke shkaktuar vdekjen e 19 fëmijëve të një kopshti. Ngjarja e fundit ndodhi në orët e vona të së hënës, në një rrugë kombëtare në kontenë Feng.

Autobusi i shkollës po i shoqëronte fëmijët për në shtëpi. Kanali ku ai ra ishte i mbushur me ujë që arrinte deri në 60 centimetra, ka bërë të ditur një e përditshme lokale në edicionin e saj online.

“Uji hyri në autobus dhe për shkak se nxënësit po shtypnin njëri-tjetrin për të shpëtuar, disa prej tyre u mbytën, ndërsa të tjerëve iu zu fryma”, raporton e përditshmja.

I njëjti burim shton se shoferi i autobusit është ndaluar nga forcat e policisë dhe tani ndodhet në gjendje burgimi. Nga ana e tyre, autoritetet nxituan të thoshin se autobusi nuk ishte i tejmbushur në momentin e aksidentit. Ai mund të mbante 52 nxënës dhe rezulton që në momentin e tragjedisë në të të kishte vetëm 29 vetë në bord.

Ndoshta autoritetet duan të bëjnë një dallim mes këtij aksidenti dhe atij të ndodhur muajin e kaluar në provincën Gansu, ku humbën jetën 19 fëmijë. Në atë ngjarje mbi 60 të rinj kishin hipur në një minibus, që faktikisht kishte vetëm nëntë ulëse.

Top Channel