Brazil, ish-presidentit rikthehet në spital

12/12/2011 21:30

Ish-presidenti i Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva, mbërriti të hënën në spital për t’iu nënshtruar seancës së tretë dhe të fundit të kimioterapisë, pas diagnostikimit me një tumor në fyt.

66-vjeçari u shpreh në hyrjen e tij në spital optimist për mënyrën se si po avanconte trajtimi, i cili do të vazhdojë me radioterapi në fillimin e vitit të ardhshëm. Më parë, mjekët i kanë cilësuar si “të mëdha” shanset e njeriut jashtëzakonisht popullor në vend rreth një rikuperimi të plotë.

Da Silva shërbeu si president i Brazilit në dy mandatet e fundit, kohë e cila përkoi me një progres të mrekullueshëm ekonomik dhe një luftë të fortë ndaj bandave të krimit të organizuar në periferitë e qyteteve të mëdha, të quajtura ndryshe “favelas”.

Lula, i cili do të qëndrojë në spital për tre ditë, u diagnostikua me kancer në muajin tetor. Ai është një duhanpirës i rregullt, çka rrit probabilitetin e prekjes nga kjo formë tumori.

Top Channel