Marrëveshje historike për klimën

11/12/2011 10:05

Bisedimet e stërzgjatura për klimën në Organizatën e Kombeve të Bashkuara më në fund u konkretizuan me një marrëveshje të përbashkët.

Bashkimi Europian do të reduktojë emetimin e karbonit dhe substancave të tjera në ajër brenda normës së përcaktuar më parë në Protokollin e Kiotos, një kërkesë kryesore për vendet e zhvilluara.

Bisedimet për një marrëveshje të re që do të përfshijë të gjithë vendet e botës do të nisë vitin e ardhshëm, për t’u finalizuar në 2015-n. Ajo do të hyjë në fuqi vetëm pas 2020-s.

Gjithashtu është rënë dakord për ndihmën ekonomike që do të marrin vendet e varfëra, për të investuar në përmirësimin e faktorëve që sjellin ndotje të klimës. Megjithatë, mbetet e paqartë se nga do të financohen këto fonde.

Bisedimet u zgjatën 36 orë përtej afatit të parashikuar, me shumë delegatë që refuzuan të largoheshin, duke e konsideruar si të domosdoshme gjetjen e një marrëveshje.

Salla u ngrit në këmbë me duartroktije, kur Ministrja e Jashtme e Afrikës së Jugut lajmëroi për gjetjen e konsensusit. “Erdhëm këtu me një plan A dhe e përfunduam këtë marrëveshje me një plan A. Nëpërmjet saj kemi siguruar të ardhmën e fëmijëve dhe nipërve tanë, pasi firma mbi këtë dokument është historike”, u shpreh Maite Nkoana-Mashabane.

Sipas reporterëve ndërkombëtarë, marrëveshja u vonua për shkak të mospërputhjeve të forta midis Bashkimit Europian dhe Indisë, për mënyrën se si duhet të arrihej mbrojtja e klimës, ndërsa Kina, një prej ndotësve kryesorë të botës, tregoi një ndërgjegjësim të papritur.

Kufizimi i emetimeve, përmirësimi i teknologjisë për të reduktuar ndotjet, riciklimi i plehrave dhe disa pika të tjera janë pjesë e marrëveshje që duhet të lejojë mbrojtjen e ambientit.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, India dhe Kina, tre ndotësit më të mëdhenj të botës, nuk e kishin nënshkruar më parë Protokollin e Kiotos, që ishte marrëveshja bazë deri tani mbi kufizimin e emetimeve të karbonit.

Top Channel