Tre gra marrin Nobelin për Paqen

10/12/2011 18:30

Cmimi Nobel për Paqen për vitin 2011 i është dhënë tre grave në një ceremoni të posacme të organizuar në kryeqytetin e Norvegjisë, Oslo.

Këtë vit vlerësimi iu dha bashkarisht Ellen Johnson Sirleaf, presidente e Liberisë, Leymah Gbowee, aktiviste për paqen po në Liberi dhe aktivistes pro-demokratike jemenase Tawakkoi Karman.

Ato u vlerësuan për betejën e tyre paqësore për sigurinë e grave dhe për të drejtat e tyre për të marrë pjesë në angazhimet për vendosjen e paqes.

Disidenti kinez Liu Xiaobo fitoi cmimin në fjalë në vitin 2010. Cdo vit fituesit i jepet një medalje e artë dhe një diplomë. Ndërsa cmimi financiar prej 1.5 milionë dollarësh do të ndahet këtë herë mes tre fitueseve.

Zonja Sirleaf, 72 vjec, është femra e parë që zgjidhet në krye të një shteti afrikan dhe njihet për kontributin e saj për përfundimin e luftës civile 14-vjecare.

Njoftimi për përzgjedhjen e saj erdhi pak ditë para se në vend të mbaheshin zgjedhjet presidenciale. Zgjedhjet u zhvilluan muajin e kaluar dhe kaluan në balotazh, por kundërshtari i saj bojkotoi votimin duke i lënë rrugë të lirë fitores së Sirleaf.

Presidentja liberiane u tha delegatëve të pranishëm se ishte e nderuar të ndiqte gjurmët e afrikanëve të tjerë që e kanë fituar këtë cmim më parë, përfshirë arqipeshkvin e Afrikës së Jugut, Desmond Tutu dhe sekretarin e dikurshëm të OKB, Kofi Annan.

“Si pjesë e shumë grave në Liberi, në Afrikë dhe kudo në botë që kanë luftuar për paqe, drejtësi dhe barazi, unë pranoj me përulje Cmimin Nobel për Paqen për vitin 2011”, tha ajo.

Top Channel