Pakistan, qeveria bisedime me talebanët

10/12/2011 17:45

Talebanët në Pakistan kanë nisur bisedimet për paqen me qeverinë e vendit, ka bërë të ditur numri dy i fraksionit të guerrilasve.

Maulvi Faqir Mohammad deklaroi se në fokus të bisedimeve ishte zona tribale e Baxhaurit, në kufi me Afganistanin, dhe shtoi se dialogu ishte i suksesshëm.

Ai tha se bisedimet mund të përfshijnë edhe zona të tjera dhe shtoi se 145 të burgosur talebanë janë liruar si shenjë e vullnetit të mirë nga autoritetet, të cilat dëshirojnë një armëpushim.

Është hera e parë që një komandant i lartë i talebanëve konfirmon negociatat, ndërkohë që nga ana e qeverisë së Islamabadit nuk ka pasur asnjë koment.

“Bisedimet tona po shkojnë në drejtimin e duhur”, citoi agjencia e lajmeve “Reuters” komandantin Mohammad.

Ndërkohë, korrespondentja e BBC në kryeqytetin pakistanez, Orla Guerin thotë se në të kaluarën bisedime të tilla kanë sjellë armëpushim, duke u dhënë militantëve kohë për t’u riorganizuar.

Gjithashtu, ekzistojnë dyshime se jo cdo marrëveshje për paqen do të pranohet nga të gjitha fraksionet e talebanëve në Pakistan, të cilët po forcojnë gjithnjë e më shumë aleancat mes tyre.

Në tetor, ministri i Brendshëm pakistanez Rehman Malik tha se bisedimet do të mbaheshin vetëm nëse grupi i guerrilasve carmatosej.

Ushtria pakistaneze ka kryer një seri ofensivash ndaj bastioneve të talebanëve pakistanezë në zonat malore në kufi me Afganistanin. Por ka dështuar në bllokimin e aktiviteteve të grupit, që ka lidhje me Al Kaedën.

Militantët në Pakistan kanë kryer një seri atentatesh të fuqishme vetëvrasëse dhe sulme në të gjithë vendin që prej vitit 2007, në përpjekje për të rrëzuar qeverinë e mbështetur nga Amerika.

Por marrëdhëniet mes Pakistanit dhe Shteteve të Bashkuara u cënuan së tepërmi nga vrasja e 24 ushtarëve pakistanezë nga forcat e NATO-s gjatë një operacioni.

Aleanca nga ana e saj pranoi përgjegjësinë duke thënë se kishte të ngjarë që masakra të ishte shkaktuar nga ushtarët e saj, por nga ana tjetër bëri përgjegjëse edhe trupat vendase, që sipas saj qëlluan të parët.

Menjëherë pas ngjarjes qeveria e Islamabadit deklaroi se do të rishikonte marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, duke paralajmëruar edhe me dëbimin e bazave amerikane.

Gjithashtu, Pakistani bllokoi rrugët alternative që përdoreshin për t’u dërguar furnizime trupave të NATO-s në Afganistan, gjë që shqetësoi jashtë mase Departamentin e Shtetit

Top Channel