Media britanike në kërkim të Kumbaros

09/12/2011 01:23

Në Britaninë e Madhe ka filluar një ofensivë mediatike për gjetjen e Ilir Kumbaros.

BBC në emisionin kryesor të lajmeve ka transemtuar një kronikë të zgjeruar për zhdukjen e Kumbaros, ku sipas gjigandit mediatik djali i biznesmenit të zhdukur Remzi Hoxha, për të cilin fajësohet Kumbaro, ka bërë fajtor autoritetet britanike për mos arrestimin e tij.

BBC ka tre vjet që investigon rastin e Kumbaros dhe përmes pamjeve filmike tregohet vendi ku ka jetuar Kumbaro dhe që prej një jave komshinjtë e tij tregojnë se nuk e kanë parë.

Sipas BBC, familja e biznesmenit Hoxha nuk mund t’i besojë dot faktit që Ilir Kumbaro është sërish jashtë radarëve të policisë britanike.

Djali i z.Hoxha thotë se ky person mund të zbulojë gjithcka për zhdukjen e Remzi Hoxhës.

“Kumbaro është kyci i tërë rastit dhe ngjarjes”, thotë djali i Remzi Hoxhes për BBC.

Ndërkohë e shqetësuar është jo vetëm familja e biznesmenit të zhdukur Hoxha për zhdukjen në Londër të Kumbaros, por edhe deputeti britanik Andreë Slaughter, i cili thotë se persona me akuza të tilla si rrëmbim dhe torturë nuk duhen liruar me kusht.

Ilir Kumbaro është liruar me kusht nga Gjykata e Lartë pas apelimit dhe kishte një paisje elektronike si kusht për të monitoruar lëvizjet e tij.

Ndërkohë gazetat kryesore britanike si “The Guardian”, “The Independent”, “The Evening Standard” dhe “Metro”, kanë botuar shkrime për apelin e autoriteveve policore britanike për gjetjen dhe kapjen e Ilir Kumbaros, i cili besohet se strehohet nga miq të tij, sipas kreydedektivit të njësisë së ekstradimit në Londër.

Top Channel