Kushtetuta duhet të frenojë kryeministrin

09/12/2011 00:00

Thirrja për korrektimin e Kushtetutës së shtrembëruar me amendimet e
prillit 2008, u ngrit përsëri nga tryezat e një konference të organizuar
me nismën e dy ish-presidentëve Meidani dhe Moisiu.

Dhe nuk është një thirrje me rrënjë në pasione të verbra politike, por bazuar në argumente juristësh e konstitucionalistësh nga më të njohurit në vend, prezentë edhe në atë konferencë. E megjithatë, impakti i kësaj thirrjeje është mjaft e pakët. Nuk ka gjetur jehonë as në partitë kryesore politike.

Nuk mund të pritej të gjente jehonë as nga mediat e kontrolluara prej partive politike. Ajo që të çudit më shumë është se shqetësimi i konstitucionalistëve shqiptarë nuk i ka bërë të reflektojë as përfaqësitë e ndërkombëtarëve në Tiranë. Edhe pse është e qartë se me deformimin që ka pësuar më 21 prill (edhe me bekimin e ndërkombëtarëve) Kushtetuta nga mbrojtëse e demokracisë liberale, është bërë themeli ligjor i një projekti autokratik në Shqipëri.

* * *

As publiku shqiptar, në pjesën dërrmuese të tij, nuk pritet të shfaqë ndonjë ndjeshmëri për deformimin që ka pësuar dokumenti themeltar i shtetit pra, edhe për nevojën e korrektimit sa më të shpejtë të tij. Të ndodhur historikisht nën sisteme diktatoriale dhe autokratike, shqiptarët vazhdojnë t’i shohin Kushtetutat e shtetit të tyre, ashtu siç ato kanë qenë në fakt, garniturë të sistemeve politike dhe jo mbrojtëse të lirive dhe të drejtave të individëve. Në shumicë shqiptarët vazhdojnë ta perceptojnë Kushtetutën si një dokument rutinor burokratik, që nuk ka të bëjë fare me hallet e jetës së tyre të përditshme. Prandaj dhe shqetësimi për Kushtetutën nuk ka mundur të shndërrohet asnjëherë në shqetësim për publikun, duke ngecur në nivelet e një proteste të pafuqishme elitare. Edhe ato pak organizma protestues të shoqërisë civile, nuk përtojnë të protestojnë (dhe bëjnë shumë mirë) për importimin e plehrave apo për ndonjë problem tjetër, por çështjen e Kushtetutës, këtë problem kardinal që ka të bëjë me natyrën e sistemit dhe të qeverisjes nuk e shohin ende si një hall të tyrin. Shpresojmë qa ta kuptojnë se edhe problemet e mjedisit apo krimi i importimit të plehrave në Shqipëri nuk janë të palidhura me dhunimin apo deformimin e Kushtetutës.

Natyrisht nuk mund të pretendohet që për deformimin e Kushtetutës të jetë i shqetësuar pushteti i tanishëm dhe aq më pak autokrati i këtij pushteti, Kryeministri Sali Berisha. Madje mund të thuhet se ky politikan është i vetmi që tek Kushtetuta e deformuar, sheh themelin kryesor të përkryerjes së ambicies së tij autokratike për kapjen edhe më të thellë dhe më totale të institucioneve. Dhe nuk është fare puna nëse Berisha do të bëhet apo jo President në vitin 2012. Në thelb kjo nuk ka asnjë rëndësi. Si President, si Kryeministër, me Kushtetutën e tanishme Berisha i ka të gjitha mundësitë që me anë të forcës së pushtetit të komandojë dhe të vërë në rresht të gjitha pushtetet e tjera të shtetit që janë krijuar pikërisht që të kontrollojnë, kufizojnë dhe baraspeshojnë pushtetin e qeverisë si dhe të shumicës parlamentare. Nëse Berisha nuk do të jetë President në atë post do të jetë një kukull e Berishës. Nëse Berisha nuk do të jetë Kryeministër por President në postin e Kryeministrit, do të jetë një kukull e Berishës. Në çfarëdo pozicioni që do të ndodhet Berisha, skena e politikës dhe e institucioneve, deri edhe të pushtetit gjyqësor apo prokuroria, do t’i ngjasojë një teatri me kukulla të komanduara në prapaskenë nga autokrati Berisha.

* * *

I vetmi shpëtim për projektin e demokracisë liberale është që të korrigjohet Kushtetuta në mënyrë që Berisha jo vetëm të mos mund të rikthehet në postin e Presidentit për të përsëritur autokratizmin e neveritshëm të viteve ‘96-‘97, por as edhe të shkarkojë (sikundër mezi pret) Kryeprokuroren Ina Rama për të vendosur në atë post të rëndësishëm një nga delfinët e tij të shumtë. Krahasuar me prillin e vitit 2008 kur u bë mëkati fatal i deformimit të Kushtetutës, situata është më në favor të korrigjimit të këtij mëkati. Sepse, tashmë, edhe lidershipi i partisë më të madhe politike në Shqipëri, i asaj Socialiste, e ka pranuar se disa amendime të Kushtetutës ishin një gabim me të cilin, për t’u shprehur me vetë fjalët e Edi Ramës në librin “Kurban”, “nxorëm sytë për të vënë vetulla”. Duke vazhduar me këtë terminologji, mund të themi se me amendimet e Kushtetutës, projekti i demokracisë liberale është bërë kurban për një ambicie autokratike që sot mbetet e mishëruar te politikani Sali Berisha. Dhe janë sofizma në favor të autokratizmit, ato që ndonjë jurist e këshillon si kujdes në ndryshimin e Kushtetutës. Këshillë që do kish shumë vlerë në prill të 2008-s por që sot, kur shtrohet nevoja e korrigjimit të një ndryshimi të gabuar bërë fare pa kujdes, nuk është asgjë më shumë por avokati e këtij gabimi. Por për çudi, edhe pse partia më e madhe por edhe në opozitë, shfaqet dakord për korrigjimin e Kushtetutës, edhe pse me këtë korrektim bashkohen edhe vizionet e mjaft konstitucionalistëve që ritheksojnë cenimin që i është bërë parimit të ndarjes së pushteteve, ndërkombëtarët mbeten të shurdhër ndaj këtyre sirenave. Dhe nuk mund të mos jetë çudi, sepse kërkesat e ndërkombëtarëve për inicimin e luftës kundër korrupsionit në nivele të larta të qeverisjes, korrektimin e procedurave parlamentare, ç’politizimin e administratës publike apo vetë pavarësimi i gjyqësorit pa të cilin nuk mund të mendohen as antikorrupsioni real dhe as ç’politizimi i administratës, as mund të mendohen e jo më të realizohen me këtë Kushtetutë që sanksionon kapjen e të gjitha pushteteve nga Kryeministri. Edhe një Kryeministër fuqiplotë, edhe demokraci dhe liri në Shqipëri? Kjo është ajo që shpresojnë ndërkombëtarët? Nëse është kështu, nuk kanë kuptuar ende atë që Milli ka thënë shekuj më parë. Se liria, në thelb, është kufizimi i pushtetit politik.

Gazeta “Shqip”

Top Channel