Iran, droni USA hyri 250 kilometra

09/12/2011 15:55

Droni amerikan që u godit të dielën nga Irani kishte arritur të hynte në territorin e këtij vendi të paktën 250 kilometra.

Kështu thuhet në faqen e internetit të televizioni shtetëror të Teheranit, ku njoftohet se qeveria iraniane i ka kërkuar përmes një letre OKB-së që të dënojë veprimin e SHBA.

Në letër shteti iranian paralajmëron për përsëritjen e veprime të këtij lloji dhe proteston kundër shkeljes së rregullave ndërkombëtare nga ana e qeverisë amerikane.

Lajmi për letrën e Teheranit zyrtar bëhet i ditur një ditë pasi televizioni publik iranian transmetoi pamjet e avionit të telekomanduar, që nuk është dëmtuar nga rrëzimi në tokë.

Autoritetet amerikane kanë shprehur shqetësimin e tyre për humbjen e objektit, pasi druhen se qeveria iraniane mund të kopiojë teknologjinë e tij.

Thuhet se objekti ka pësuar dëme minimale. Droni, i njohur ndryshe si “Gardiani”, është i pari që u humbet trupave të Shteteve të Bashkuara.

“Mendoj se ne gjithmonë jemi të shqetësuar kur bëhet fjalë për një avion që humbasim, me pilot apo pa pilot, sidomos në një vend ku nuk kemi mundësi ta marrim sërish”, deklaroi disa ditë më parë kapiteni i marinës së SHBA, John Kirby.

Por disa analistë u shprehën se trupat ushtarake iraniane nuk do të jenë kurrë në gjendje të kopiojnë teknologjinë, edhe nëse kanë gjetur pjesë të nevojshme të objektit.

Top Channel