Stinë leximesh dhe disa të marrë në mes

08/12/2011 00:00

Ilir Yzeiri – Nëntori është muaji më kontrastues nga pikëpamja emocionale. Në qoftë se
muaji mars është shënjuar si muaji i ngjarjeve tragjike (kujtoni marsin
e ’97-s apo marsin e Gërdecit), në këtë vendin tonë të kapur për fyti
prej mediokritetit, përkundrazi muaji nëntor, në imazhin kolektiv
përfytyrohet si kohë ceremonish, si përplasje emocionesh herë për shkak
të historisë, e herë për shkak të stinës.

Mirëpo këtë vit, si asnjë herë tjetër, ky muaj u shënjua nga botimi i librave të suksesshëm që arritën të bëhen ngjarje dhe tema të kronikës mediatike. Të ngjan se më në fund Shqipëria po prodhon qytetërim dhe “vezullim lirie” po të përdornim një metaforë bajate dhe pa shije të retorikës klasike. Në fakt, shkrimi i librave të bukur, pritja e ngrohtë nga publiku tregon se midis shqiptarëve është vendosur edhe një lloj marrëdhënieje tjetër komunikimi, e cila, në këtë rast, është komunikimi përmes mediatizimit të printuar. Këto ditë është folur shumë për shitje të mëdha të librave të Ramës e të Blushit, por nuk është përmendur sa duhet se edhe libri i Helena Kadaresë po shënon rekorde shitjesh, se edhe libri i Andrea Stefanit “Komploti kundër lirisë” është pritur në mënyrë të shkëlqyer dhe se për nga mënyra e trajtimit dhe e interpretimit të dukurive të tranzicionit shqiptar, ai nuk i lë asgjë mangët një monografie europiane. Po ashtu, librat e Spartak Ngjelës e të Daut Gumenit, libri me kujtime i prof. Nasho Jorgaqit apo libri i profesorit australian Petër Morgan për Kadarenë, “Shkrimtari dhe diktatura” janë gjithashtu disa nga botimet dinjitoze të vjeshtës së këtij vit që kulmoi me muajin nëntor. Ndërsa libri i Fevziut për Enver Hoxhën, sipas mendimit tim, është një përpjekje mediokre për të treguar gjithashtu në mënyrë mediokre një histori dhe një personazh kompleks. E vetmja gjë interesante në atë libër janë fotografitë. Por ky është një diskutim tjetër. Vështruar në këtë mënyrë, të duket se në Shqipëri po ripërtërihet tradita e shijes së hollë, tradita e salloneve dhe e veprave të artit, të duket se Shqipëria po kthehet nga ana e saj europiane dhe qytetare. Mirëpo, sapo ti nis të këndellesh me këtë imazh, në anën tjetër shfaqet një personazh grotesk që është kryeministri i vendit tonë, i cili ka një muaj që pasi ka pësuar një “ischemi librore” prej kontaktit me kopertinën e librit “Kurban”, ka thuajse një muaj që shkon vend më vend e komenton librin e Ramës dhe lëshon nga goja lloj-lloj budallallëqesh me të cilat po neverit të madh e të vogël, të majtë e të djathtë. Nga ana tjetër, janë edhe një apo dy të tjerë që u turren librave të botuar tash në fund dhe nisin t’i shqyejnë me dhëmbët e mediokritetit dhe inatit oriental për shkak të konflikteve që kanë me autorët në rastin më të mirë dhe me vetveten në rastin më të keq. Reagimi i kryeministrit ndaj librit të Ramës përfaqëson një dukuri tipike të efektit që ka gjuha e shkruar. Gjuha shqipe është ndoshta e vetmja gjuhë në botë që është dënuar me një dekret të sulltanit që të mos përdoret në komunikimin publik. Shkrimtari ynë i madh, I. Kadare duke folur në Universitetin e Palermos para disa vjetësh kur po merrte titullin “Honoris Causa”, thotë mes të tjerash se historia e dokumentimit të shqipes së shkruar nis me një formulë që u vendos në trupin e një gjuhe që më pas do të vdiste. U ruajt pra, në trupin e një gjuhe të vdekur. Është fjala për formulën e pagëzimit të Pal Engjëllit që u shkrua në qarkoren që ky i fundit e hartoi latinisht për t’ua shpërndarë priftërinjve të zotërimit të tij episkopal. Më pas, në memorien kolektive të shqiptarëve zuri vend shprehja e famshme e Gjon Buzukut, i cili në pasthënie të librit të tij “Meshari” shkruante se, “U’ murgu Gjon tue pa se gluha jonë po vdaret…” dhe më pas akoma, i famshmi Pjetër Bogdani shkruante në “Të primitë” apo në parathënien e librit të tij “Çeta e profetënve” se, “Prashtu dergjet dheu nde robi errët… se u dvuer dijeja e urtija…”. Rilindja jonë nisi duke evokuar gjuhën dhe shkrimin e shqipes si dy shtylla të magjishme që do ta përtërinin shpirtin e humbur të shqiptarit. Klerikët e famshëm të Veriut u përpoqën që të mos humbiste identiteti latin i kulturës shqiptare. Pas çlirimit të vendit, komunistët gjithashtu u morën me librat dhe me gjuhën e shkruar, u morën me vetëdijen kolektive duke synuar me këtë rast që ta ridimensiononin atë. Nëse ka një faqe të errët në historinë tragjike të diktaturës komuniste, kjo është pikërisht sjellja e saj ndaj librave të shkruar, ndaj gjuhës së shkruar. Heqja nga qarkullimi e veprave të Fishtës dhe Konicës apo Koliqit në vitet ’47-’49 të kujton dekretin famëkeq të sulltanit për ndalimin e gjuhës shqipe si formë komunikimi. Ndërsa sot, kryeministri shqiptar po sillet me një libër të Edi Ramës njësoj sikur të ishte një barbar nga Azia e Largët. Si është e mundur që një libër me kujtime, i mbushur me përsiatje vetjake për jetën që ka çuar ai, pra Edi Rama, të çmendë dhë të shkallojë nga trutë një shqiptar tjetër, që në këtë rast është kryministri ynë, pra kundërshtari politik i Edi Ramës? Libra me kujtime shkruhen gjithmonë dhe teksti i shkruar është një entitet i ndryshëm nga personazhi, nga autori. Në tekstet e komunikimit kur flitet për personazhet e thënies thuhet se edhe kur libri shkruhet në vetën e parë midis folësit dhe autorit ka ndryshim, pra midis Edi Ramës shkrimtar librash memuaristikë dhe Edi Ramës kryetar të partisë socialiste ka ndryshim, ashtu siç është i ndryshëm prej të dyve Edi Rama qytetar i Tiranës. Mirëpo, në komunikimin politik shqiptar që zotërohet kryesisht nga monologët e budallallepsur të kryeministrit tonë nuk bëhet dallimi mes gjuhës së shkruar dhe veprimtarisë politike. Në nënvetëdijen e këtij njeriu është ngulur ende thellë gozhda e vështrimit komunist mbi gjuhën e shkruar që e sheh librin si provë të jetës publike. Marrëzitë e këtyre ditëve në interpretimin e librave të shkruar shënuan kulme të papara më parë. U arrit deri aty sa letërsia e shkruar u vështrua si një dokument me vlerë prove juridike që tregon se pas çdo historie të personazheve qëndron historia e autorit. Paranoja fundamentaliste arriti deri aty sa në ndonjë rast letërsia artistike u pas si dëshmi civile në një gjyq të supozuar. Ndërsa rolin e kritikut të llojit të Azisë Lindore të kohëve të vjetra e luajti kryeministri ynë, i cili librin “Kurban” e pa dhe po e sheh sot e gjithë ditën si një blasfemi, si librin e shkruar nga xhebraili, se autori që ka shkruar atë libër është zënë nga hijet dhe magjitë se ai po kall ëndrra të tmerrshme të grigja e urtë që drejton ai. Njësoj si turqit e Besarabisë dikur, ai do të donte që ky libër të mblidhej dhe në një natë me hënë, nën tingujt e këngës së verdhë të Azisë dhe nën tringëllima shpatash dhe thirrje të Allahut të digjej trupi i atij libri, të shkrumbohej e të kallej në dhe ai i paudhë që ia prishi gjumin kryeministrit tonë, edhe ashtu të lodhur e të shkapërdarë trush. Ky ndikim dhe ky efekt që ka bërë libri i Edi Ramës mbi kryeministrin tonë e mbi ndonjë tjetër të kujton llahtarën që provonin turqit kur kapnin libra të shkruar në shqip. Kështu, ndërsa ti mendon se me botime të tilla si ato që përmenda më sipër, por edhe të shumë të tjerave që u bënë në këto kohë, por që unë për arsye vendi e kohe nuk po i përmend dot këtu, pra kur ti sheh gjithë këtë vezullim dijeje e urtie, shkëlqimi e nur perëndie, siç thotë një rilindës, befas, pas gjithë kësaj, të vërvitet në fytyrë llava e trashë e vrerit turkoshak që sillet me librin ashtu siç bënin qindra vjet më parë otomanët e Azisë me gjuhën  shqipe, me librat e shkruar në shqip. Për Edi Ramën si politikan mund të shkruhet e ai mund të shahet ditë e natë. Por të nisesh nga libri me kujtime “Kurban” për të gjykuar politikanin Edi Rama, kjo është sjellje tipike orientale. Më duket se është rasti që ta shënoj përsëri se në themel të njohjes së botës për sa i takon shenjueshmërisë, pra emërtimit të sendeve dhe të dukurive dhe bartjes së tyre në kokë me anë të figurave dhe imazheve konceptuale, qëndrojnë dy parime; parimi metonimik dhe ai metaforik. I pari ka në themel pjesën për të tërën, autorin për veprën, i dyti ka në themel krahasimin, ngjashmërinë. Ligjërimi metaforik është karakteristik për shoqëritë moderne. Shoqëritë para moderne përdornin kryesisht ligjërimin që mbështetej në parimin metonimik të shenjueshmërisë, në thelb të të cilit ishte prania e autorit për veprën, e pjesës për të tërën. Mbi këtë përfytyrim mbështetej kuptimi se çdo gjë e prodhuar prej autorit shihej e pashkëputur prej tij. Kjo bënte që për veprën e shkruar të dënohej dhe të vritej edhe autori. Mbi këtë përfytyrim, Salman Ruzhdije është dënuar me vdekje për veprën e tij letrare. Këtu te ne, kryeministri ynë dhe të ngjashmit me të për nga sëmundja janë një hije e zbehtë dhe e neveritshme e këtij kuptimi për shkrimtarin.

Gazeta “Shqip”

Top Channel