Putin: SHBA pas protestave në Rusi

08/12/2011 10:35

Kryeministri rus Vladimir Putin ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se kanë nxitur protestat post-zgjedhore në Rusi.

Putin ka deklaruar se sekretarja amerikane e Shtetit Hillary Clinton “ngriti tonet për disa aktivistë opozitarë”.

“Ajo u dha atyre sinjalin, ata e morën këtë sinjal dhe nisën aktivitetin e tyre”, ka pohuar kryetari i Rusisë së Bashkuar.

Ai ka akuzuar protestuesit se po veprojnë në bashkëpunim me një skenar të mirënjohur dhe në bazë të interesave të tyre mercenare.

Kryeministri ka paralajmëruar personat që sipas tij punojnë për qeveritë e huaja për të influencuar në politikën ruse, se do të japin llogari. 

Protestat kundër rezultatit elektoral vazhduan edhe gjatë orëve të vona të mbrëmjes së të mërkurës në qendër të Moskës.

Në zgjedhjet e së dielës, partia e Putin, Rusia e Bashkuar, fitoi mazhorancën por me një rënie të ndjeshme të elektoratit të saj.

Vëzhguesit ndërkombëtare renditën një sërë shkeljesh në këto zgjedhje, pavarësisht se i cilësuan si të mirë organizuara.

Nga ana e tij, Putin refuzoi të pranonte se partia e tij ishte më e humbura nga zgjedhjet e ditës së dielë, ndërsa e cilësoi si të zakonshme luhatjet në votime.

Ndërkohë, ish-presidenti sovjetik, Mikail Gorbachev iu bashkua të enjten kritikëve të zgjedhjeve parlamentare në Rusi, duke thënë se votimet e se dieles u shënuan nga manipulime të mëdha.

Tani që Rusia e Bashkuar fitoi zgjedhjet pritet që vitin tjetër të bëhet rrokada Medvedev-Putin, që parashikon kthimin e kryeministrit në postin e presidentit dhe këtë të fundit në krye të ekzekutivit.

Putin ka qenë president i Rusisë nga viti 2000 në vitin 2008. Ai zbriti një shkallë më poshtë pasi kushtetuta nuk i lejonte një mandat të tretë rresht.

Por tani që Medvedev përmbushi mandatin e tij të parë, Putin është i lirë të rikthehet në krye të Kremlinit dhe të qëndrojë për 12 vjet, në bazë të mandatit të ri 6-vjecar të kreut të shtetit.

Top Channel