Itali, pikëllim për arrestimin e bosit

08/12/2011 13:10

Në Kazapezena, qytezë në jug të Italisë, shumë njerëz janë mbledhur në sheshin kryesor dhe flasin për arrestimin e bosit të Kamorës, Michele Zagaria.

Pothuajse të gjithë shprehen të keqardhur për atë që ndodhi, pasi tani, sic thonë vetë ata, askush nuk do t’u japë më për të ngrënë.

Madje, disa qytetarë shprehen kundër një prokurori dhe një shefi të policisë së Napolit, i cili ndodhet nën hetim për lidhje me një biznesmen të afërt me mafian.

“Prokurori nuk duhet të na i bënte këtë. Kthimi i policit Vittorio Pisani, i përfshirë në një hetim, nuk është i drejtë”, thotë një prej banorëve.

Dhe teksa ai thotë këto fjalë, shumë njerëz përreth e duartrokasin. Më pas, edhe të tjerë dalin në mbrojtje të bosit Zagaria.

“Edhe ndaj Berlusconi-t, senatorit Dell’Utri dhe disa ministrave rëndojnë akuza të rënda. Ndryshimi mes tyre dhe Zagaria-s është se ata mund të bredhin të lirë, ndërsa Zagaria jo”, shprehet një prej të pranishëmve.

Më tej i njëjti person shton: “Ai ishte miku ynë, na qëndronte pranë. Ishte një njeri i thjeshtë të cilin shteti e bllokoi”.

Ndërsa një zonjë në moshë të thyer shprehet edhe më e indinjuar para kamerave të agjencive italiane të lajmeve: “Shkoni të vrisni veten. Duhet t’u thoni të gjithëve se na vjen keq. Zagaria neve nuk na ka bërë asgjë të keqe”, thotë ajo.

Michele Zagaria, i konsideruar si kreu i një prej organizatave kriminale më të fuqishme të Italisë, u arrestua të mërkurën në një vilë-bunker në qytezën Kazapezena.

Prej kohësh ai dyshohej se fshihej atje, pasi sipas autoriteteve dhe dëshmive të sipërpërmendura, mbrohej nga banorët dhe duhet të ushtronte kontrollin në territorin e tij.

Varfëria në rajonin e Kampanias dhe në të gjithë jugun e Italisë, bën që organizatat kriminale atje t’u ofrojnë mbështetje ekonomike banorëve, të cilët si këmbim i ndihmojnë për t’u shpëtuar operacioneve të policisë.

Top Channel