SHBA: Assad përgjegjësi për viktimat

07/12/2011 21:00

Për Shtetet e Bashkuara, presidenti sirian, Bashar al-Assad është përgjegjësi kryesor i dhunës dhe viktimave të shkaktuara ndër civilët në këto muaj proteste në Siri.

Uashingtoni thotë se Assad nuk është i besueshëm në deklaratëtn e tij se nuk ka dhënë urdhër për të qëlluar dhe vrarë protestuesit në rrugët e sheshet e qyteteve siriane.

“Deklaratat e Assad nuk janë të besueshme. Shtetet e Bashkuara dhe shumë vende të tjera e dinë se cfarë po ndodh në Siri dhe se kush është përgjegjësi kryesor për to”, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney.

Reagimi i Uashingtonit ka ardhur pas një interviste të gjatë të presidentit sirian, Bashar al-Assad dhënë për televizionin amerikan, ABC ku ai mohoi përgjegjësinë e tij në urdhërat për të qëlluar mbi turmat e civilëve. Ai tha se asnjëherë nuk ka dhënë një urdhër të tillë, duke kaluar përgjegjësinë për to, tek drejtuesit e lartë të policisë dhe forcave të ushtrisë.

Top Channel