PS-ja është kompakte, por leadership-i nuk është frymëzues

07/12/2011 00:00

Mustafa Nano – Socialistët u ndanë “paq” me kongresin e tyre. Nuk pati debate të
brendshme dhe nuk është se i pengoi njeri të debatonin. Jo, s’pati
debate sepse s’pati.

Sigurisht, dy a tre vetë, ndoshta më shumë, janë duke shprehur mospajtime me atë që ndodhi e me mënyrën se si ndodhi, por janë zëra që i ka thëthirë muri i sfungjertë i unitetit “të rigjetur e të rindërtuar” mes socialistëve. Rama veproi me dinakëri këtë herë: mori ata që i duheshin (Blushin, Malajn etj.), dhe la pas dore ata që e kanë kritikuar më ashpër (Harasanin, Islamin, ndoshta dhe Meidanin, ndonëse ish-presidenti nuk ka demonstruar ndonjë qejf të madh për të qenë në strukturat drejtuese të PS-së). Dhe kështu, zëri i kritikëve dhe pakënaqësitë e tyre kanë humbur mes lajmit “të bujshëm”
 të rikuperimit të Blushit, Malajt, Legisit etj.

Por nuk janë vetëm këta të fundit që japin idenë e një uniteti të rigjetur. Janë dhe emra të tjerë, të cilët përfaqësojnë në mënyrën e tyre traditën dhe historinë e PS-së, e të cilët e kanë marrë me entuziazëm rikthimin. Në këtë kuptim, Partia Socialiste ka dalë më kompakte se sa pritej nga muaj të tërë debatesh, keqkuptimesh, moskuptimesh e sherresh dhe Rama ka lënë pas krahëve problemet që mund t’i dilnin nga brenda. Secili ka zënë vendin e vet deri në zgjedhjet e vitit 2013, në të cilat o fitojnë dhe e bëjnë Ramën kryeministër, o humbasin dhe fillojnë të negociojnë me sho-shoqin startin e erës së re post-Rama.

Kjo paqe mes tyre është një gjë e mirë për opozitën, së cilës nuk do t’i duhet të harxhojë energji e kohë në “luftëra civile” mes vedi. Por një skuadër drejtuese që ka rënë dakord me ndarjen e roleve nuk është e thënë të jetë eficiente në luftën politike e në garën elektorale. Për këtë nuk mjafton që skuadra të jetë kompakte; duhet që të jetë dhe e përbërë nga njerëz të cilët kanë dhënë prova se janë të zotë, të dijshëm, të ndershëm, karizmatikë dhe të cilët japin idenë e një leadership-i të ripërtërirë.

Socialistët nuk e përcollën këtë mesazh, gjë që të bën të mendosh se Ramës, teksa ka qenë i fokusuar te gjithëpërfshirja, as që i ka shkuar mendja tek ripërtëritja e klasës drejtuese mbi një kriter të qartë meritokratik. Dhe deri në njëfarë mase kjo merret me mend, pasi gjithëpërfshirja realizohet rëndom mbi kurrizin e meritokracisë. Janë dy përparësi (gjithëpërfshirja e meritokracia) që nuk rrinë dot bashkë. Nëse synon vetëm njërën, do të injorosh disi tjetrën. Mirëpo, socialistët do bënin një gabim fatal, nëse do futeshin dhe këtë herë në zgjedhje me idenë e vetëmjaftueshmërisë përballë vetëgërryerjes e vetëkonsumimit të kampit tjetër prej pushtetit. E në këtë kuptim, kohën që kanë në dispozicion do duhej ta shfrytëzonin. Kuptohet, nëse rregullat e procedurat, mbi të cilat ngrihet organizimi i brendshëm i partisë, e lejojnë një gjë të tillë. Por edhe nëse s’e lejojnë, do duhej bërë diçka me formën e kooptimeve apo dorëheqjeve. Socialistët duhet të kenë kurajën për të pranuar një gjë të vërtetë: demokratët në anën tjetër kanë një skuadër më vitale, më agresive e me kredite intelektive, kulturore apo profesionale më të mira; momentet e shtërzimit të këtyre të fundit vijnë prej satrapit që kanë mbi kokë apo prej llangosjes që i kanë bërë vetes me hajdutërira, por në rrethana neutrale disa syresh kanë dhënë prova se të vënë përpara në ballafaqime televizive apo ballafaqime të natyrave të tjera (do ish gabim të injorohej “pjesa e mirë” duke u nisur prej faktit që Berisha ka promovuar, përveç të tjerësh, edhe një numër hiçërish e kotësirash); dhe PD-ja, edhe për shkak të resurseve të tjera që ka (kryesisht financiare), nuk mund të përballohet vetëm me Ben Blushin, Ben Malajn, Ilir Beqjan, Shkëlqim Canin, Ditmir Bushatin, Erion Veliajn, e ndonjë tjetër. Këtë herë ka për të qenë një betejë “për jetë a vdekje”, e opozita nuk mund të futet “tafti bafti”, si herë të shkuara; sidomos, në rrethanat që e ideja e aleancës me Metën është refuzuar e hedhur pas krahëve.

Me këtë logjikë kam lënë të kuptohet para dy ditësh në një prononcim për lajmet e “Top Channel”-it, se një tërheqje nga postet drejtuese në parti e tre apo katër socialistëve të vjetër do ish një gjest me shumë dobi për socialistët. Do ishte me dobi e vlerë edhe për ata vetë, të cilët do dëshmonin me këtë rast nga njëra anë skrupuj humanë, nga ana tjetër fisnikëri e bujari politike. Njerëzve të tillë, si fjala vjen Ruçit e Dokles, mund t’u jepen pas kësaj të gjitha garancitë se do të jenë deputetë në Parlament edhe për “x” mandate. Por me t’iu dhënë kjo garanci (s’është fjala për një favor; është një gjë që ata e meritojnë për shkak të kontributeve të tyre; bëhet kudo gjetkë kjo gjë), ata do duhej të hapnin rrugën. Dhe në këtë diskutim nuk kanë të bëjnë fare konsideratat që mund të kemi për njërin, apo për tjetrin. Ruçi e Dokle, fjala vjen, janë dy kafshë të mirëfillta politike; kanë pasion e instinkt, që nuk para e gjen tek të rinjtë; por enough is enough. Jemi në vitin 2011 dhe sikur nuk shkon që partia më e madhe e më e rëndësishme e vendit të ketë në kryesi po ata njerëz që ka pasur para 22 vjetësh. Nuk është frymëzuese kjo punë. Ata mund të jenë më të zotë e më të hairit se ca të rinj të zgjedhur nga Rama kohët e fundit, por prapëseprapë kjo nuk i legjitimon ata në këmbënguljen për të hedhur rrënjë aty ku janë. Kjo bën me faj Ramën, por nuk legjitimon ata. Dhe afërmendsh, nuk e forcon partinë e nuk e garanton fitoren e zgjedhjeve të vitit 2013.

Gazeta “Shqip”

Top Channel