Pakistan, Presidenti Zardari shtrohet në spital

07/12/2011 16:45

Presidenti i Pakistanit, Asif Ali Zardari, është shtruar në një spital në Dubai për të trajtuar një “sëmundje të zemrës”.

Lajmi u konfirmua të mërkurën nga një zëdhënës zyrtar, i cili u tregua u kujdesshëm të theksonte se “nuk ka asnjë arsye përse të jepet dorëheqja”. Nuk bëhet e qartë se cili është problemi real i 56-vjeçarit.

Megjithatë, komenti i Islamabadit nuk i ka penguar mediat që të spekulojnë për emrin që mund të zëvendësojë Zardarin në funksionin më të lartë të shtetit me 170 milion banorë.

Një figurë konfliktuale, Zardari u ngjit në pushtet në vitin 2008, pas fitores në zgjedhje të Partisë Popullore. Ai u bë i njohur në vend kryesisht falë martesës me ish-Kryeministren Benazir Bhuto, e vrarë në një atentat në vitin 2007.

Autoritetet pakistaneze janë vendosur nën presion nga opozita, pas publikimit së fundmi të një kabllogrami, në të cilin zbulohej se ishte kërkuar ndihma ushtarake amerikane, për të shmangur një grusht shteti, më paë gjatë vitit.

Megjithatë, marrëdhëniet midis Pakistanit dhe SHBA-së kanë arritur një pikë të ulët historike, pas bombardimit të gabuar të një kazerme ushtarake pakistaneze, pranë kufirit me Afganistanin, në një mision të NATO-s. Në sulm mbetën të vrarë 24 ushtarë.

Top Channel