“Të Pafetë”, libri që sulmon Vatikanin

05/12/2011 17:25

Konsiderohet si zemra e besimit të fesë së krishterë, tek krahu katolik, por zërat negativë dhe hijet e misterit e kanë mbuluar jo pak herë.

Bëhet fjalë për shtetin e Vatikanit, që ndodhet në zemër të Romës, ku Papa i radhës bën mesha duke bërë thirrje për të ndihmuar njerëzit në nevojë.

Por nga ana tjetër, nuk mungojnë aferat e pista, intrigat dhe lojrat e pushtetit dhe pse jo të spiunazhit. Këtë përpiqet të tregojë në librin e tij “Të Pafetë” (I Senza Dio), shkrimtari italian Stefano Livadiotti.

“Pedofili, marrëdhënie me mafian, priftërinj-masonë dhe më pas privilegje, biznese misterioze, luftëra të brendshme dhe lidhje të pista me politikën”, shkruhet në parathënien e librit.

“Të Pafetë”, që ka dalë këto ditë në libraritë italiane, vjen pas dy librave të tjerë të gazetarit-shkrimtar Livadiotti, ku goditen sindikatat dhe ajo pjesë e errët dhe e korruptuar e prokurorisë italiane.

Ndërsa këtë herë, shkrimtari përpiqet të drejtojë prozhektorët tek pallatet e Vatikanit dhe polemikat, ashtu si dhe me librat e parë, nuk do të mungojnë.

Skandalet e pedofilisë në radhët e priftërinjve katolikë kanë qenë shumë të pranishme në vitet e fundit dhe në to janë përfshirë priftërinj dhe peshkopë që kanë qenë njerëz të afërt të Papa Benediktit XVI.

Ndërsa përsa i përket aferave të pista, nuk mund të harrohet vrasja e Roberto Calvi, i njohur ndryshe si “bankieri i Zotit”, që pastronte paratë e mafias në bankën e selisë së shenjtë.

Top Channel