Francë, “Greenpeace” pushton reaktorin bërthamor

05/12/2011 15:15

Aktivistët mjedisorë në Francë thyen rrethimin dhe hynë në një stacion bërthamor në Francë, me qëllimin për të treguar “mungesën e sigurisë” rreth impianteve të tillë.

Antarë të “Greenpeace” hynë në reaktorin e ndodhur në Nogent-sur-Siene, 95 kilometra nga Parisi, në orët e para të mëngjesit, u ngjitën deri në godinë dhe shpalosën një parrullë të organizatës, përpara se të lajmëronin policinë.

Shtatë persona u arrestuan, ndërsa “Eletricite de France”, kompania që operon stacionin theksoi se aktivistët u ndaluan që në hyrje. Megjithatë, ngjarja ka bërë bujë të madhe në shtypin francez. “Qëllimi ynë i vetëm është se sa të sigurta janë këto qëndra bërthamore. Fare mirë, në vend të aktivistëve tanë mund të kishte qenë një grup terroristësh që do të kishte vendosur bomba. Kjo ngjarje duhet të na fusë në mendime të thella”, shkruhej në një deklaratë për shtyp të “Greenpeace” në Francë.

Franca është vendi më i varur në Europë nga energjia bërthamore dhe ndryshe nga Gjermania fqinje, nuk ekzistojnë plane për kalimin në një formë të re dhe më të sigurt energjie.

Në muajin nëntor, një tren me mbetje reaktive u ndalua disa ditë në truallin francez nga protestuesit, përpara se të shkonte në qendrën e grumbullimit dhe përpunimit të lëndës shumë të rrezikshme për shëndetin në Gjermani.

Top Channel