Cameron: Jo referendumit për paktet e BE-së

05/12/2011 18:30

Downing Street ka refuzuar propozimin e Ian Duncan Smith, nënsekretari i Punës, për një referendum mbi Unionin Evropian.

Kërkesa në fjalë ishte propozuar si një reagim ndaj iniciativave franko-gjermane për t’iu përgjigjur krizës së borxhit që ka përfshirë vendet e eurozonës.

Zyra e kryeministrit David Cameron ka deklaruar se, qeveria britanike nuk është e detyruar të mbajë një konsultim popullor për projektin e unionit fiskal.

Projekti në fjalë u propozua nga presidenti francez Nicholas Sarkozy dhe u sqarua nga kancelarja gjermane Angela Merkel, konsultimet e të cilëve kanë mërzitur jo pak vende.

Shumë zyrtarë britanikë janë shprehur kundër nismave dypalëshe franko-gjermane për t’i bërë ballë krizës ekonomike që ka përfshirë Bashkimin Evropian.

Ndërkohë që edhe nga shoqëria civile kanë ardhur reagime, disa prej të cilave ekstreme, që kërkonin diskutimin e qëndrimit të Mbretërisë së Bashkuar në radhët e Unionit.

Edhe pse nuk bën pjesë në zonën euro, Organizata Botërore e Bashkëpunimit dhe Zhvillimit ekonomik parashikoi se edhe Britania do të përfshihet nga recesioni vitin e ardhshëm.

Top Channel