Rusët i drejtohen kutive të votimit

04/12/2011 10:10

Rusët i janë drejtuar që në orët e para të ditës së dielë kutive të votimit, për të zgjedhur antarët e Parlamentit për pesë vitet e ardhshme.

Disa aktivistë dhe monitorues të pavarur kanë kritikuar ashpër autoritetet për shkelje të kryera në proces. Grupi i vetëm i pavarur monitorues rus, “Golos”, është penguar të jetë i pranishëm në shumë qendra zgjedhorë, ndërsa drejtuesja e tij u mbajt për rreth 12 orë në polici, pa asnjë shkak, ku iu konfiskua edhe kompiuteri personal.

Mediat e huaja flasin për evidentimin e 5 300 ankesave për shkelje. Nga ana e tij, Kryeministri Vladimir Putin, i cili udhëheq partinë më të madhe në vend, “Rusinë e Bashkuar”, akuzoi mediat ndërkombëtare për fabrikimin e gënjeshtrave dhe ndërhyrje në procesin zgjedhor.

I pyetur rreth “Golos”, Putin vendosi në dukje se grupimi financohet drejtëpërsëdrejti nga fondet e qeverisë amerikane dhe ato të Bashkimit Europian.

Në votime, rusët do të zgjedhin 450 antarët e “Dumës”. Votimet, të cilat nisën më herët në Kalinigrad, shtrihen në nëntë zona të ndryshme ore, për shkak të madhësisë së shtrirjes së madhe të shtetit. Në disa zona siberiane janë regjistruar radhë, pavarësisht temperaturave që shkojnë deri në -26 gradë celcius.

Sipas sondazheve, pritet të rikonfirmohet pak a shumë e njëjta përbërje e parlamentit, me vetëm disa përfaqësues më shumë nga partitë e vogla. “Rusia e Bashkuar” e Kryeministrit Putin duhet të fitojë përsëri një mazhorancë mbi 60%, e ndjekur nga komunistët e Gennady Ziuganov.

Shtatë parti janë lejuar të paraqesin kandidatë në këto votime, nga 11 që e bënë diçka të tillë në vitin 2007.

Top Channel