Liga Arabe, ultimatum të ri Sirisë

04/12/2011 10:30

Liga Arabe i ka parashtuar të dielën një ultimatum të ri Sirisë, ndërsa i ka kërkuar për herë të fundit që të pranojë vëzhguesit e huaj në vend.

Ministrat e Jashtëm të Ligës Arabe janë mbledhur në Katar, ku u bë e qartë se Damasku ka vetëm 24 orë kohë për të pranuar propozimet. Kryeministrit i Katarit bëri të qartë që vendi do të përballet me një ashpërsim të masave tashmë në fuqi, në rast të një përgjigje negative.

”I kërkuam Ministrit Sirian të Punëve të Jashtme që qeveria siriane të pranojë deri të dielën vëzhguesit e huaj në vend dhe jemi ende në pritje të përgjigjes. Nëse ajo do të mungojë ose do të jetë negative, Liga Arabe do të konsiderojë sanksione të tjera ndaj vendit”, deklaroi Kryeministri i Katarit, Sheikh Hamad bin Jassim Jabr al-Thani.

Ndaj Sirisë janë vendosur masa të forta ndëshkuese, përfshi ndalimi i udhëtimit të presidentit Bashar al-Assad në vendet e Ligës Arabe, së bashku me disa zyrtarë të tjerë të lartë të regjimit.

Ndërkohë, të paktën 27 persona humbën jetën në përballjet e ditës së shtunë. Sipas të dhënave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, më shumë se 4 mijë persona kanë humbur jetën që prej fillimit të lëvizjes anti-qeveritare në muajin mars.

Top Channel