Harresa e baballarëve të kombit

28/11/2011 21:15

28 nëntor 1912, nga Vlora, shqiptarët thërritën njëzëri emrin e tyre duke i treguar botës mbarë se Shqipëria nuk mund të zhdukej në rrjedhën e kohës. Baballarët e kombit, me në krye Ismail Qemalin, simbol i një populli që refuzoi të përkulej, nënshkruan deklaratën e pavarësisë. Po sot, 99 vjet më pas, si nderohen figurat themeltare të kombit? Reportazhi “Shqipëria Tjetër”, sjell në vëmendje pikërisht këtë.

Përveç pavarësisë, Vlora i dhuroi Shqipërisë edhe katër firmëtarë të tjerë veç Ismail Qemalit. Qazim Kokoshin, Jani Mingën që lindi në Fier, por që ishte delegat i Vlorës, Aristidh Rucin, i lindur në Zagori dhe Zini Abaz Kaninën. Megjithatë, sot në qytetin e pavarësisë, nuk gjendet asnjë shenjë që të nderojë aktin e tyre në 1912-n. Asnjë përkujtimore, sado modeste, ndërsa për bust as që bëhet fjalë.

Nga Vlora, në Berat, nga ku dolën jo pak përfaqësues. Iljaz Vrioni, Bab Dud Karbunara, Dhimitër Tutulani, por edhe delegatë të Skraparit, Xhelal Koprencka e fieraku Hajredin Cakrani. Diku në zonën më të rëndësishme të qytetit të “1001 dritareve”, ngrihen sarajet e vrionasve. Për fat të keq, asgjë nuk të kujton firmëtarin dhe një prej figurave më të rëndësishme të historisë shqiptare, tre herë Kryeministë gjatë periudhës së viteve 1920-24. Një pjesë e shtëpisë së tij është kthyer në një hotel privat, ndërsa tjetra është braktisur prej vitesh. Pllaka dhe rënojat e shtëpisë së Bab Dud Karbunarës janë zhdukur edhe ato pak kohë më parë si pasojë e zgjerimit të rrugës. Vetëm një bust i kërrusur e thuajse i turpshëm ngrihet për këtë firmëtar të pavarësisë.

Zhgënjimi është edhe më i madh përballë shtëpisë së shkalafitur të Dhimitër Tutulanit, gjysh i Margarita e Kristaq Tutulanit. Të vetmet sende përkujtuese të këtyre figurave, gjenden në një figurë të rëndomtë të qytetit, që prej mbylljes së muzeut, “dhuratë” kjo e pas viteve 1990.

Kilometra më tutje, në Elbasan, realiteti është i njëjtë. Shefqet Daiu e Qemal Karaosman Elbasani nuk janë pjesë as e të shkuarës dhe as e të tashmes së këtij qyteti. Nga ky i fundit, ka mbetur vetëm shtëpia, e cila nuk ka asnjë lidhje me kohën e shpalljes së pavarësisë dhe është lënë thuajse e rënuar. Karaosmani, i censuruar gjatë komunizmit, duket se po censurohet edhe nga vitet e demokracisë.

Plot gjashtë delegatë intelektualë kanë marrë pjesë në mbledhjen e Vlorës nga qyteti i Korçës, një pjesë e tyre edhe përfaqësues të kolonisë së shqiptarëve në Bukuresht. Dhimtër Berati, Spiridon Ilom, Dhimitër Emanuel Mborja, Pandeli Cala, Dhimitër Zografi dhe Thanas Floqi kanë firmosur krah Ismail Qemalit, duke i dhënë në këtë ngjarje një rol të fortë këtij qyteti.

Shtëpia e Spiridon Ilos paraqitet me dy fytyra. E para, në atë të një fotografie ku ai ka dalë së bashku me familjen e tij dhe e dyta, pamja e rrënyar dhe e zymtë e realitetit të tashëm, që i përngjan më shumë një hauri për bagëtinë. Diku pranë qendrës së Korçës, disa metra nga konsullata greke, ngrihet edhe një godinë tre-katëshe që duket se do të bjerë nga çasti në çast. Në të, dikur banonte Dhimitër Zografi dhe familja e tij. Sot është kthyer në kazan plehrash e në fjetinë për të pastrehë e endacakë. Pandeli Calën e gjen vetëm në varrezat e qytetit të thyer, gjysmë të thyer, përkrah Petro Dhimitrit apo fotografit të asaj ngjarjeje, edhe ai i braktisur dhe pa një foto të vetën mbi varr.

Në djepin e kulturës, në Shkodër, fle një tjetër firmëtar, Luigj Gurakuqi, shtëpinë e të cilit e shëmbën për të ngritur një bunker betoni, duke shkatërruar kështu gjithçka që la e bëri atdhetari i madh. E kështu me radhë në Tiranë me abdi Toptanin, në Durrës me Dom Nikollë Kaçorrin, eshtrat e të cilit erdhën në Shqipëri si një thes i pavlerë dhe shumë të tjerë. Kjo, është harresa më e tmerrshme e një kombi, e një vendi që harron baballarët e tij.

Top Channel