Kriza, Eurozona në tatëpjetë

25/11/2011 00:00

Kriza financiare e Eurozonës po thellohet me ritme të shpejta aq sa tani
po vihet seriozisht në dyshim e ardhmja e euros dhe madje edhe vetë
Bashkimit Europian.

Të gjithë besonin se pas zhvillimeve të forta politike në shumë vende të Eurozonës, tregjet do të perceptonin një mesazh pozitiv. Por në  fakt edhe pas ndryshimit të qeverive në Itali dhe Spanjë, paniku jo vetëm që nuk është ndalur, por përkundrazi po thellohet.

Interesat e borxhit italian mbeten në nivele rekord, ndërsa ato spanjolle po vazhdojnë të rriten edhe pas ardhjes në pushtet të qeverisë së re. Por zhvillimi më negativ është se për herë të parë tregjet po shfaqin mosbesim edhe tek ekonomia gjermane, deri tani e konsideruar si parajsa e investitorëve. Në ankandin e fundit, interesat e borxhit gjerman u rritën në nivelin rekord që prej një muaji, pasi tregjet po perceptojnë se aftësia paguese e qeverisë gjermane po përkeqësohet.

Kjo edhe për shkakun se Gjermania është ajo që duhet të mbajë në shpinë barrën e shpëtimit të ekonomive të infektuara të Europës. Me këto zhvillime të fundit, parashikimet për ekonominë europiane po përkeqësohen me shpejtësi. “The Economist” shkruan se me shumë gjasa eurozona do të rrëshqasë vitin e ardhshëm në recesion, dhe jo të butë sic ishte vlerësuar deri tani, por të rëndë, kur prodhimi pritet të ulet me 2 përqind. Por edhe ky skenar mbart pasiguri të mëdha, që lidhen me atë se cfarë do të ndodhë në vendet e prekura nga kriza.

Vitin e ardhshëm, qeveria italiane është e detyruar të rinovojë 300 miliardë euro borxhe. Nëse tregjet nuk qetësohen, me këtë shumë Italia rrezikon seriozisht falimentin. Nëse vërtetohet ky skenar, askush nuk guxon të thotë se cfarë do të ndodhë më pas.

Qeveria italiane, ajo spanjolle apo greke, pavarësisht angazhimeve që kanë marrë për të disiplinuar financat publike në këtë pikë janë të pafuqishme të ndalojnë katastrofën. Sipas “The Economist” tani të gjitha shpresat janë tek Banka Qëndrore Europiane dhe Gjermania. E para duhet të ndërhyjë për të furnizuar bankat me likuiditet dhe për të blerë borxhet e qeverive në krizë, ndërsa qeveria gjermane, pavarësisht kostove politike duhet të rrisë transfertat financiare për vendet e prekura. Nëse kjo nuk do të ndodhë, Europa shumë shpejt mund t’i thotë lamtumirë euros.

Top Channel