Marina kineze në ditët e ardhshme do të kryejë stërvitje në Oqeanin
Paqësor, në një moment kur tensionet lidhur me sovranitetin detar janë
rritur.
Ministri kinez i Mbrojtjes deklaroi se stërvitjet do të jenë rutinë dhe nuk synojnë të tregojnë forcën ndaj ndonjë vendi të caktuar.
Kina është bllokuar në një debat territorial me vende të ndryshme dhe Shtetet e Bashkuara kanë bërë së fundmi një seri deklaratash për rritjen e pranisë së tyre në rajon.
Një zëdhënës i Pentagonit deklaroi se SHBA nuk kanë asnjë problem me stërvitjen detare kineze. Kapiteni John Kirby u shpreh se Kina ka të drejtën e saj për të bërë stërvitje në mënyrat që asaj i duken të dobishme.
Disa ditë më parë, autoritetet amerikane vlerësuan qëndrimin e Pekinit lidhur me cështjen territoriale të Detit të Kinës.
Njoftimi për këtë stërvitje u bë në orët e vona të së mërkurës, në faqen zyrtare të internetit të Ministrisë së Mbrojtjes kineze.
“Kjo është një stërvitje vjetore e planifikuar. Nuk i drejtohet asnjë vendi të caktuar dhe iu përmbahet ligjeve dhe praktikave ndërkombëtare”, thuhet në një deklaratë online.
“Liria e Kinës për të lundruar dhe të drejtat e tjera ligjore që i takojnë asaj nuk duhet të pengohen”, thuhet më tej në njoftim.
Ndërkohë, autoritetet ushtarake japoneze njoftuan se kanë lokalizuar gjashtë luftëanije që lundrojnë në ujëra ndërkombëtare, në afërsi të prefekturës së Okinauas.
Kina është përplasur me shumë vende të tjera që përfshihen në Detin e Kinës, përfshirë Vietnamin dhe Filipinet, që pretendojnë pjesën e tyre në këtë det.
Më herët gjatë muajit marina japoneze arrestoi kapitenin e një peshkarexhe kineze, pasi ajo hyri në mënyrë të paautorizuar në ujërat e Japonisë.
Top Channel