Ukrainë, rikthehet në burg Tymoshenko

23/11/2011 17:20

Autoritetet ukrainase rikthyen në burg ish-kryeministren Yulia Tymoshenko, pasi analizat mjekësore treguan se në gjendjen e saj nuk ka rrezik për jetën dhe trajtimi për problemet mund të merret edhe në kushtet e mbajtjes në qeli.

Udhëtimi i 50-vjeçares nga burgu në një spital në Kiev dhe përsëri në burg zgjati vetëm disa orë. Avokati mbrojtës i gruas së vetme që ka drejtuar Ukrainën në histori deklaroi se raporti mbi shëndetin e saj nuk është i besueshëm.


Tymoshenko
pësoi një dëmtim të rëndë në shpinë në datën 7 nëntor, kur u rrëzua në burg. Sipas autoriteteve, rrëzimi ishte aksidental dhe i shkaktuar prej “pakujdesisë”. Në fundjavë, një delegacion i të drejtave të njeriut konstatoi se Tymoshenko e kishte të pamundur të ngrihej nga shtrati i qelisë së saj.

Gjatë procesit gjyqësor, ish-kryeministrja u ankua disa herë për probleme të ndryshme shëndetësore. Një gjykatë në Kiev e dënoi atë me shtatë vjet heqje lirie në muajin tetor, pasi u gjet fajtore për akuzën e abuzimit me detyrën, në rastin e nënshkrimit të një kontrate të furnizimit të gazit me një firmë ruse.

Top Channel