Bahrein, autoritetet përgjegjëse për mbi 40 vrasje

23/11/2011 16:10

Autoritetet e Bahreinit janë përgjegjëse për vrasjen e më shumë se 40 personave, për shkak të përdorimit të armëve në mënyrë të panevojshme për shtypjen e protestave, ishte përfundimi i një hetimi të pavarur.

Lajmi u bë i ditur të mërkurën dhe ai i referohet një serie ngjarjesh të ndodhura në muajt shkurt-mars, në kohën kur vendi u prek nga lëvizja masive e “Pranverës Arabe”.

Duke pranuar kritikat e raportit, mbreti Hamad theksoi se do të bëjë gjithçka që ka mundësi për të shlyer sado pak dhembjen e shkaktuar tek familjarët.

Ndërsa protestat në shumicën e vendeve arabe kishin natyrë ekonomike, Bahreini ishte i veçantë në llojin e tij, pasi demonstratat u motivuan nga qëllime fetare. Popullsia në shumicë shiite, u rebelua ndaj familjes mbretërore sunite.

Më shumë se 1 600 persona janë arrestuar në këto protesta, që kanë vazhduar në mënyrë sporadike edhe gjatë tetë muajve të fundit.

Top Channel