Francë, Strauss-Kahn ngre padi gjyqësore

22/11/2011 16:45

Ish-shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Dominique Strauss-Kahn dhe bashkëshortja e tij njoftuan të martën për ngritjen e një padie ndaj një këshilltari të presidentit Sarkozy dhe ndaj disa mediave franceze, për thyerje të së drejtës së privacisë dhe shpifje.

Avokatët e njeriut që konsiderohej potencialisht si kandidati më i rrezikshëm për Sarkozy në zgjedhjet presidenciale të vitit 2012, deri përpara skandalit të abuzimeve seksuale, e kishin paralajmëruar një lëvizje të tillë kohë më parë.

Henri Guaino, ndihmësi i afërt i presidentit francez, deklaroi në një televizion kombëtar se “e drejta e jetës private nuk mund të merret më parasysh kur gjatë saj kryhen aktivitete kriminale”.

Nga ana e tyre, gazetat vendosen në akuzë për spekulimet e shumta për një divorc të mundshëm të Strauss-Kahnit apo për publikimin e historive të supozuara të abuzimeve të tjera seksuale të 62-vjeçarit.

Procesi ndaj ish-drejtuesit të FMN-së u shndërrua në një prej më mediatikëve në histori, pasi një punonjëse e një hoteli në SHBA e akuzoi për tentativë përdhunimi. Megjithatë, ai u shpall i pafajshëm nga gjykata që mori në shqyrtim çështjen, në Nju Jork.

Hetimet për një tjetër ngacmim seksual në Francë, këtë radhë ndaj një shkrimtareje, gjithashtu u tërhoqën në muajin gusht.

Top Channel