Greqia duhet të nisë aplikimin e programit të reformave në mënyrë që të mund të vazhdojë qëndrimin në zonën e euros.
Deklarata është bërë nga kryeministri i ri grek, Lucas Papadhimos, pas një takimi me presidentin e Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso.
“Qëndrimi në euro është opsioni ynë i vetëm. Kjo është ajo cfarë dëshiron shumica e qytetarëve grekë”, ka deklaruar Papadhimos.
Duke pohuar se detyra që ka përpara është shumë e vështirë, kryeministri i ri e ka vënë theksin tek nevoja e mbështetjes së kabinetit të tij nga populli grek.
Kryetari i ekzekutivit të ri helen është shprehur i bindur se ekzistojnë “perspektiva të shkëlqyera” për aplikimin e marrëveshjes së arritur në samitin e tetorit të BE.
Nga ana tjetër, persidenti i KE, Barroso është shprehur i bindur se Greqia do t’i respektojë angazhimet e marra përsipër.
“Jam i bindur se Greqia do t’i respektojë angazhimet e marra përsipër bashkë me partnerët. Për vendosmërinë e Greqisë jam siguruar nga vetë kryeministri Papadhimos”, ka thënë Barroso.
Sipas tij, shpëtimi i Greqisë nga humnera e krizës së borxhit, që sa vjen e po përhapet më shumë në eurozonë, nuk është vetëm një sprint, por një maratonë.
“Greqia po përballet me një emergjencë reale, që kërkon një përpjekje të madhe kombëtare nga ana e vendit dhe qeverisë së tij”, ka shtuar presidenti i KE.
Top Channel