Festa e Pavarësisë në Britani

21/11/2011 19:50

Forumi i Shoqatave Shqiptare në Britani organizoi një aktivitetet përkujtimor ku morën pjesë deputetë të parlamentit britanik, kryetari bashkisë të shumë lagjeve të Londrës, miq dhe dashamirës të Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe Ambasadori i Kosovës dhe e ngarkuara me punë e Shqipërisë në Londër.

Lutfi Vata, kryetar i Forumit të Shoqatave Shqiptare në Britani, organizatori i aktivitetit tha për Top-Channel se “gjëja më impresionuese dhe ajo që na bën me krenar në këtë përvjetor është konsolidimi i ruajtjes së gjuhës shqipe dhe traditave kulturore dhe shpirtërore të shqiptarëve të Britanisë që ja kalojnë këto vlera fëmijëve të tyre të lindur e të rritur jashtë vendlindjes.

Jashtë kortezisë së rastit përfaqësuesit e pushtetit lokal të superlagjeve të Londrës vlerësuan rolin pozitiv dhe kontributin e komuniteitit shqiptar në Londër dhe në mbarë vendin, përkundër imazhit jo pozitiv në media, për paqen dhe harmoninë sociale, ku asnjë pjesëtar i komunitetit shqiptar nuk u raportua zyrtarisht si pjesëmarres i trazirave të fundit në Londër përpara disa muajsh, sic ndodhi me disa komunitetete të tjera.

Ky është aktiviteti më i madh për Diten e Pavarësisë në Britani nga komuniteti, ndërkohë që ambasada shqiptare këtë vit do të organizojë një pritje zyrtare me rastin e pavarësisë, ndryshe nga vitet i kaluar, kur nuk u zhvillua një aktivitet i tille në afro dy dekada të përfaqësimit diplomatik në Britani.

Ndërkohe cuditërisht edhe pse kanë kaluar disa muaj nga largimi i ish-ambasadorit shqiptar në Londër Zef Mazi, ambasada shqiptare ende nuk ka titullar, por përfaqësohet nga e ngarkuara me punë në Britani, në një nga qendrat më të mëdha vendimmarrëse politike dhe diplomatike ndërkombëtare.

Top Channel