Sipas vendimit të miratuar nga Parlamenti, në komisionin e reformës zgjedhore do të marrin pjesë edhe partitë jo parlamentare, që në zgjedhjet e fundit kanë marrë më shumë se 1% të votave.

PSV 91 dhe Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, janë dy parti të tilla. Por në ndryshim nga të gjitha partitë e vogla, PSV 91 nuk kërkon një proporcional kombëtar. Petro Koci lëvdon avanantazhet e sistemit të mëparshëm, mazhoritar me korrektim proporcional:

‘‘Për më shumë pushtet dhe kontroll të qytetarit mbi politikën, për më shumë demokraci dhe për të garantuar stabilitet qeverisës duhet të kthehemi te sistemi i përzier mazhoritar + proporcional, me formulen 100 me 40 ose me ndonjë formulë tjetër’’, tha kryetari i PSV 91, Petro Koçi.

Por Petro Koci është i ndërgjegjshëm se ndryshimi i sistemit zgjedhor kërkon një ndryshim tjetër të kushtetutës, gjë që mazhoranca e ka përjashtuar kategorikisht:

‘‘Atëhere brenda kontekstit të sistemit aktual proporcional rajonal, të punojmë për një korrektim kombëtar’’, theksoi Koçi.

Petro Koci thotë se për të shpëtuar nga kriza politike, gjëja e parë në fakt që duhej ndryshuar, është Kushtetuta. I këtij mendimi është edhe Dashamir Shehi. Zoti Shehi thotë se do t’i kërkojë komisionit të reformës zgjedhore ndryshimin e sistemit, jo për të për të mbrojtur partitë e vogla, por vetë demokracinë.

‘‘Ne jemi për proporcional kombëtar dhe kushtetuta të ndryshohet, sepse kur deshën e ndryshuan brenda natës, për të keqen e Shqipërisë. Kurse tani, për të mirën e vendit, nuk duan ta ndryshojnë’’, tha Dashamir Shehi.

Dashamir Shehi është gjithashtu partizan i listave të hapura. Ku i pari i listës nuk është personi që vendos kryetari, por individi që merr më shumë vota mes kandidatëve të së njëjtës listë. Kjo sipas zotit Shehu redukton pushtetin e kryetarit mbi listat, por edhe ndihmon që njerëzit të zgjedhin individin, të dinë se kush i përfaqëson ata në Parlament.

Top Channel