Spanjë, thellohet kriza, tronditen bursat

17/11/2011 16:10

Huamarrja është bërë më e shtrenjtë se kurrë për Spanjën, ndërsa kriza ekonomike vazhdon të thellohet.

Ditën e enjte, Madridi emetoi letra me vlerë prej 3,6 miliardë eurosh, me afat kthimi 10-vjeçar, me normën e interesit prej 6,975%, më e larta që prej vitit 1997 dhe shumë pranë normës së vlerësuar si të rrezikshme prej 7%/.

E përballur me një defiçit të lartë buxhetor, me papunësinë më të madhe në Eurozonë dhe me rënie ekonomike, besimi i kreditorëve tek Spanja është më i ulët se kurrë.

Përkeqësimi i krizës spanjolle bëhet edhe më i qartë nga fakti që vetëm një muaj më parë, në tetor, Madridi arriti të merrte hua me vetëm 5,4% interes. Me votimet e përgjithshme ditën e dielë, pritet gjerësisht që qeveria e Kryeministrit Zapatero të zëvendësohet nga demokratët në opozitë.

Gjatë ditës, u rrit me 0,5% interesi edhe për huamarrjen afatshkurtër franceze. Parisi morri 6,98 miliardë euro hua për 2-4 vjet me normën 2,82%, nga 2,31% që kishte mundur të bënte diçka të tillë në tetor.

Ndërkohë, në bursat europiane vazhdon rënia. Banka britanike “Lloyds” humbi gjatë të enjtes 5,4% të vlerës së saj, ndërsa “Barclays”, “Credit Agricole” dhe “Commerzbank” të gjitha pësuan një rënie prej 4%.

Top Channel