
Për herë të parë, popullsia me ngjyrë ka arritur të përbëjë shumicën e
popullsisë së Brazilit. Kështu thonë rezultatet paraprake të procesit të
censusit, të kryer në vitin 2010.
Nga 191 milionë brazilianë, 91 milionë u identifikuan si të bardhë, 82 milion si racë e përzierë dhe 15 milionë të tjerë si zezakë.
Sipas të dhënave, popullsia e bardhë ka pësuar një rënie nga 53.7 për qind që ishte në vitin 2000 në 47.7 për qind vitin e kaluar.
Procesi i censusit që zhvillohet një herë në dekadë tregoi rritjen e treguesve socialë, shenjë kjo e rritjes ekonomike, por nga ana tjetër edhe vazhdimin e pabarazisë. Censusi u drejtua nga Instituti Brazilian i Gjeografisë dhe Statistikave.
“Është hera e parë që një census demografik ka treguar se popullsia e bardhë është nën 50 për qind”, ka deklaruar instituti.
Numri i personave që u identifikuan si zezakë u rrit nga 6.2 në 7.6 për qind, ndërsa ai i personave me racë të përzierë nga 38.5 në 43.1 për qind.
Ndërsa përsa u përket minoriteteve, 2 milionë brazilianë u identifikuan si aziatikë dhe 817 mijë të tjerë si popullsi indigjene.
Shumica e të dhënave të procesit tregojnë progresin e Brazilit gjatë një dekade me rritje konkrete ekonomike dhe me politika qeveritare që synonin reduktimin e varfërisë.
Top Channel