AK: Thirrjet antishqiptare, provokim kombëtar

16/11/2011 00:00

Aleanca Kuq e Zi i cilëson provokim kombëtar thirrjet antishqiptare që u
bënë të martën në stadiumin ‘Goce Dellcev’ në Prilep, ku kombëtarja
shqiptare zhvilloi një takim miqësor me kombëtaren maqedonase.

“Nacionalizmi maqedonas është primitiv dhe i dhunshëm. Shqiptarët janë kombi më i qytetëruar në rajon”, thuhet në reagim. Aleanca i bën thirrje qeverisë së Maqedonisë që të distancohet nga racizmi, ndërsa kërkon dënim të turmave histerike anti-shqiptare.

Ndeshja miqësore ndërmjet kombëtares së Shqipërisë dhe asaj të Maqedonisë është mbyllur pa gola.

Në këtë ndeshje nuk kanë munguar fyerjet raciste. Tifozët maqedonas të vetëquajtur “Majmunë’ që nga fillimi i ndeshjes kanë lëshuar shumë thirrje antishqiptare.

“Shqiptar i mirë është vetëm shqiptari i vdekur”,  “Dhoma gazi për shqiptarët”, ishin thirrjet raciste të tifozëve maqedonas.

Në stadiumin ‘Goce Dellcev’ në Prilep skuadrën Kuq e Zi e kanë përkrahur rreth 100 tifozë shqiptarë nga Shkupi dhe Tetova.

Top Channel