Sulmohet ambasada e Jordanisë në Damask

15/11/2011 04:58

Ambasada e Jordanisë në Damask u bë objekt i një sulmi, mbrëmjen e së hënës, nga një turmë mbështetësish të regjimit të Bashar al-Assad, bëri me dije agjencia jordaneze “Gerasa”, që publikoi edhe foto të ngjarjes.

Gjithmonë sipas agjensisë, protestuesit kanë arritur të hyjnë deri në oborrin e brendshëm të ambasadës, ku kanë rrëzuar flamurin jordanez dhe kanë ngritur në vend të tij flamurin e lëvizjes Shiite të Hezbollahut.

Ky sulm erdhi pak orë pas deklaratave të mbretit Abdullah të Jordanisë, ku i bënte thirrje Bashar al Asadit, të dorëhiqej për të mirën e tranzicionit të vendit të tij.

Ndërkohë, të paktën 40 persona, gjysma e të cilëve ushtarë, janë vrarë në afërsi të kufirit me Jordaninë, në luftimet mes forcave të sigurisë dhe manifestuesve.

Sipas Observatorit Sirian të të Drejtave të Njeriut, rreth 20 persona, mes të cilëve snajpera, manifestues dhe civilë janë vrarë nga ushtarët në Khirbet Ghazaleh.

Ndërkohë, të paktën 19 anëtarë të ushtrisë dhe forcave të sigurisë mbetën gjithashtu viktima në të njëjtat përleshje.

Turqia: Sirisë mund t’i ndërpresim energjinë elektrike

Turqia po shikon seriozisht mundësinë e ndërprerjes së furnizimit me energji elektrike të Sirisë, si kundërpërgjigje për dhunën që autoritetet po ushtrojnë ndaj manifestuesve anti-Asad.

Lajmi është njoftuar nga Ministri i Energjitikës i Turqisë, Taner Yildiz. Furnizimi me ujë të pijshëm dhe energji elektrike, ishte përjashtuar nga paketa e sanksioneve që Ankaraja zyrtare miratoi kundër Sirisë në muajin shtator, pas thirrjeve të vazhdueshme diplomatike për t’i dhënë fund dhunës ndaj protestuesve.

Ndërkohë, në Siri vijojnë të regjistrohen viktima si mes protestuesve anti-qeveritarë, ashtu edhe në radhët e forcave të sigurisë.
 

Top Channel